VIDEO/ "RENEA kishte urdhër për ta vrarë", reagon gruaja e Ylli Zallës!

24 Qershor 2026, 15:47Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ylli Zalla/ Rinas

Një ditë pas operacionit të zhvilluar në fshatin Zallë për arrestimin e Ylli Zallës, një prej personave më të kërkuar gjatë muajve të fundit në lidhje me atentatin e ndodhur në Rinas, ka reaguar bashkëshortja e tij Marinela Zalla.

Përmes një video-mesazhi, ajo i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të hetojnë të plotë ngjarjen, duke këmbëngulur se bashkëshorti i saj është i pafajshëm dhe po përballet me akuza të padrejta.

Video nga joq:

Sipas saj, Ylli Zalla nuk ka lidhje me vrasjen e ndodhur në Rinas në nëntor të vitit të kaluar dhe e vërteta sipas saj ende nuk është zbardhur.

“Ai po akuzohet për vrasjen e ndodhur në Rinas në nëntorin e shkuar. Në padrejtësi, Ylli është i pafajshëm. Pse nuk del e vërteta? Pse nuk del kush i fiku dritat në mes të Rinasit për orë të tëra? Kush përfiton duke akuzuar një njeri të pafajshëm dhe duke e futur në hasmëri me persona të tjerë? Ylli Zalla në atë kohë e kishte dorën e thyer. Pse nuk kërkohen fakte që të dalë e vërteta?”, dëgjohet të thotë ajo në videon e dërguar për JOQ, ndërkohë që më tej ka dhënë dhe një version tjetër të ngjarjeve të fundit që shoqëruan operacionin policor.

Ajo pretendon se në momentin kur forcat speciale RENEA dhe efektivët e Policisë mbërritën pranë banesës, është qëlluar me armë zjarri, me synimin për ta eliminuar fizikisht bashkëshortin e saj dhe jo për ta arrestuar.

“Forcat RENEA bashkë me policinë e Fushë-Krujës kanë shkuar në shtëpinë e tij dhe kanë qëlluar me plumba drejtpërdrejt për ta vrarë, po kishin urdhër për ta vrarë. Kush do t’ia mbyllë gojën Ylli Zallës? Mos mendoni se duke vrarë Ylli Zallën do të fshihni të vërtetën, jo. Ylli Zalla është gati të dorëzohet, por aman të dalë në shesh e vërteta”, thotë ajo ndër të tjera.


Video