
Një 54-vjeçar është arrestuar sot nën akuzën e grabitjes në seri të automjeteve në zonën e Durrësit dhe Shijakut.
I dyshuari është me banim në Torino, teksa ka tentuar të vidhte dy automjete, dhe në një të tretë e kishte realizuar krimin. Operacioni është koduar “I huaji”.
Policia bëri me dije se në pranga ra M. S., 54 vjeç, banues në Torino, Itali. Vjedhja e realizuar ka ndodhur në Maminas.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, pas marrjes së njoftimit për tentativën për vjedhjen e dy automjeteve në Maminas të Shijakut, organizuan menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u bë e mundur identifikimi dhe ndalimi i shtetasit: M. S., 54 vjeç, banues në Torino, Itali”, njoftoi policia vendore.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan sendet e vjedhura.
Kurse materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale “vjedhja”.