VIDEO/ Autorët me maska silikoni dhe doreza, momenti kur grabitet për 2 minuta "Range Roveri" në Vorë

14 June 2023, 19:05Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
VIDEO/ Autorët me maska silikoni dhe doreza, momenti kur grabitet për
Momenti i grabitjes

Në videon e mëposhtme janë pamjet kur dy persona ende të paidentifikuar vjedhin një automjet tip Range Rover në zonën e Vorës. Video e siguruar nga Tv Klan është fiksuar nga kamerat e një biznesi, në orët e para të mëngjesit të datës 3 qershor, ku autorëve u duhen më pak se 2 minuta për të kryer vjedhjen e makinës luksoze.

Siç mund ta shihni, autorët fillimisht thyejnë xhamin e makinës, e më pas futen brenda dhe në pak sekonda ndezin automjetin. Për të mos u identifikuar nga kamerat në kokë mbajnë maska silikoni. Gjithashtu në duar kanë doreza për të shmangur lënien e gjurmëve.

Pasi futen në automjet, autorët largohen dhe pas tyre në kamerat e sigurisë shihet të lëvizë dhe një automjet tip Audi ngjyrë e bardhë pa targa.

Referuar burimeve kjo makinë ka sjellë hajdutët në vendin ku do kryhej vjedhja. Megjithatë ky nuk është Range Roveri i parë që vidhet në qarkun e Tiranës, po në harkun kohor të një muaji, po në kryeqytet është vjedhur një tjetër makinë e ngjashme.

Dyshimet e policisë janë se autorët janë të njëjtë. Ndonëse nuk është arritur identifikimi i tyre, hetuesit dyshojnë se ata janë pjesë e një grupi hajdutësh profesionistë, të cilët dhe në 2021 kanë vjedhur 7 Range Rover luksozë në vend.

Makinat e vjedhura nga ky grup në pjesën më të madhe janë përdorur në ngjarje kriminale apo janë çmontuar e më pas shitur për pjesë.


Video