Ditën e djeshme, në kuadër të operacionit “Plani”, Policia e Elbasanit njoftoi për parandalimin e vrasjes së një shtetasi me precedent kriminal.
Autori i këtij krimi të mbetur në tentativë ishte 23-vjeçari Briken Rusta, i cili kërkonte të vriste një 24-vjeçar të dënuar 2 herë më parë, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve me të cilin ishte konfliktuar para disa ditësh.
Në pamundësi për të realizuar planin e tij, si rezultat i presionit policor në terren, në lagjen “Qemal Stafa”, në rrugën “Tomorr Sinani”, Briken Rusta ka hedhur armën e zjarrit në rrugë dhe është larguar.
23-vjeçari u shpall në kërkim nga Policia, por bashkë me të, blutë e Elbasanit njoftuan se u shpall në kërkim dhe 22-vjeçari Klaudjo Sulmina, i dyshuar si bashkëpunëtor i Briken Rustës, për kryerjen e kësaj ngjarjeje kriminale.
Së fundmi, ka ardhur një reagim nga ky i fundit, i cili mohon përfshirjen në këtë ngjarje. Në një video të dërguar tek JOQ, Klaudjo Sulmina tregon se ndodhet prej gati dy muajsh në Gjermani dhe se nuk i njeh aspak personat që përmenden nga policia
Klaudjo Sulmina ka dërguar edhe vulat që ka marrë në pasaportë. Ende nuk dihet roli që dyshon policia për Sulminën në këtë ngjarje, por ai thotë se kjo është e pavërtetë.
