U gjet i ekzekutuar me plumb në kokë, jeta problematike e burrelasit në Gjermani dhe dyshimet e policisë

2 Dhjetor 2023, 09:16Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Reols Hysneli

Autoriteteve gjermane u janë dashur 3 ditë për të zbuluar identitetin e të riut shqiptar që u gjet i vdekur me një plumb në kokë në afërsi të banjave termale Holstentherme në Kaltenkirchen, një zonë rreth 40 km larg Hamburgut, të shtunën e 25 nëntorit 2023.

Bëhet fjalë për 27-vjeçarin Reols Hysneli, i cili njihet edhe me emrin Alonso, me origjinë nga Burreli. Të riut nuk iu gjetën dokumente me vete kur iu gjet kufoma dhe identifikimi u bë përmes shenjave të gishtave.

17 vjeçari nga Kukësi pranon krimin
Në databazën e policisë gjermane rezultuan të përputhshme, pasi ai nuk ishte i panjohur për ta, më herët kishte rënë në pranga. Në lidhje me ngjarjen, një tjetër shqiptar është arrestuar, i cili ka rrëfyer për policinë gjermane se është autor i vrasjes.

Bëhet fjalë për një të mitur 17-vjeçar, me origjinë nga Kukësi, por që në fakt vendbanimin e familjes në Shqipëri e ka në Lushnjë. I mituri, identitetin e të cilit Report Tv e disponon, jeton prej disa kohësh në Gjermani dhe dyshohet se ka kryer vrasjen për shkak të prishjes së pazareve të drogës.

Në seancat e marrjes në pyetje para autoriteteve gjermane nuk ka dhënë detaje të tjera, përveçëse ka marrë përsipër krimin. Megjithatë, ai dyshohet se i përket një klani të trafikimit të lëndëve narkotike, i cili përbëhet nga shqiptarë të tjetë në Gjermani. Një pjesë e anëtarëve të këtij grupi kanë dalë në komunikimet e “SkyECC” në Berlin përgjatë vitit 2020 duke bërë pazare droge, madje edhe janë arrestuar.

Dyshohet se autori 17-vjeçar i vrasjes merrte drogë nga ky grup dhe e shpërndante në zonat e tyre të influencës. Viktima Roels Hysneli ka qëndruar në qytetin Uetersen, një tjetër vendbanim jo shumë larg Hamburgut, nga e marta datës 20 nëntor deri ditën që u gjet i vdekur. Në këtë qytet është takuar edhe me vrasësin e tij 17-vjeçar, kjo e konfirmuar edhe përmes kontrollit të qelizave telefonike. 

Jeta në burg
Ndërkohë viktima Reols (Alonso) Hysneli kishte pasur disa herë probleme me ligjin në Gjermani. Ai rezulton të jetë dënuar me 9 muaj burg për një përleshje të rëndë fizike më 28 shtator 2021, megjithatë mundi të dalë nga qelia me lirim me kusht. Sipas një gjykate në Gjemani, më 20 prill 2020 në qytetin Lübeck, ai është përleshur me disa persona në një parking supermarketi dhe njërin prej tyre e ka goditur me grushte dhe shkelma, duke pësuar lëndime në pjesën e kokës.

Pas daljes së tij nga burgu nuk ka asnjë të dhënë se ku ka qëndruar dhe çfarë ka bërë në Gjermani. Më hërët në emër të tij janë zbuluar dy adresa, një në Paris dhe një tjetër në Berlin. Po ashtu, në vitin 2020 Hysneli rezulton i hetuar edhe për trafikim të lëndëve narkotike dhe për shkelje të afatit të qëndrimit.

Çfarë di familja 
Report Tv kontaktoi njerëz të afërm me familjen e tij në Shqipëri. Ata rrëfyen se Hysneli jetonte prej disa vitesh në shtetin gjerman dhe ka punuar kryesisht në punë ndërtimi në të zezë dhe i pa regjistruar, siç konfirmohet edhe nga autoritetet atje. 
Megjithatë, të afërmit e viktimës mohojnë të kenë dijeni se ai ka ushtruar aktivitet të trafikimit të lëndëve narkotike në Gjermani. Si autori i mitur i dyshuar i ngjarjes ashtu edhe viktima nuk rezultojnë të jenë hetuar në vendin tonë për aktivitet kriminal. Në emër të asnjërit nuk ka të regjistruar procedime penale.

Video