Trupi i Bujar Nishanit riatdhesohet të martën, më pas ceremonia zyrtare e varrimit

29 May 2022, 18:32Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Trupi i Bujar Nishanit riatdhesohet të martën, më pas ceremonia

Trupi i pajetë i ish-Presidentit, Bujar Nishani pritet të mbërrijë në Shqipëri ditën e martë.

Pas vdekjes së tij ditën e shtunë në Spitalin Universitar të Berlinit, Charite, stafi mjekësor dhe të afërmit e të ndjerit po merren me procedurat e posaçme që mundësojnë riatdhesimin e trupit të ish-Presidentit të Republikës në atdhe.

Ish-Presidenti do të përcillet për në banesën e fundit përmes një ceremonie zyrtare. Këshilli i Ministrave pritet të marrë një vendim të posaçëm për t’i bërë ish-kreut të shtetit nderimet e fundit.

Bujar Nishani ndërroi jetë teksa po kurohej në spitalin universitar Charite në Berlin. Shëndeti i tij u përkeqësua për shkak të insuficiencës polmonare të theksuar, çka solli dhe vdekjen e tij të shtunën.

Gjendja shëndetësore e ish-Presidentit u përkeqësua pas infektimit me Covid. Ai e kaloi infeksionin, por pasojat e virusit i shkaktuan probleme të tjera, që i morën edhe jetën.

 


Video