
Alda Klosi, drejtoreshë e koncesioneve në Ministrinë e Ekonomisë në kohën kur ministër ishte Arben Ahmetaj dhe më pas këshilltare e tij. Klosi hetohet për veprat penale të pastrimit të parave dhe produkteve të veprës penale, ndërsa arrestimi ka ardhur pas një dëshmie në polici të ish-pastrueses së saj, Rozeta Dobi.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha bën me dije se Dobi është marrë në pyetje ditën e sotme në ambientet e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit.
“Pashë shumë para, kam pastruar tetë shtëpi. Mi la ti fshihja. Shpesh i shikoja nëpër kuti”, cituan burimet e gazetares Hoxha të ketë rrëfyer pastruesja.
Veç kësaj, e dyshuara ka folur edhe për Arben Ahmetajn thanë jo zyrtarisht të njëjtat burime për gazetaren Anila Hoxha.
Sipas këtyre burimeve, pasi të ezaurohen disa veprime të domosdoshme hetimore, pritet qe dosja të kalojë për kompetencë në SPAK, mbasi Dobi ka folur për ish-ministrin e Financave Arben Ahmetaj.
Krimi i pastrimit të parave u zbardh pas denoncimit që bëri në polici ish-këshilltarja e Arben Ahmetaj. Ajo deklaroi se në banesën e marrë me qira tek “Rruga e Kosovarëve” më 15 dhjetor i ishin grabitur 120 mijë euro dhe e dyshuara kryesore ishte ish-pastruesja e saj Rozeta Dobi. Nga dialogu i tyre policia ushtroi edhe një herë kontroll ku në tubin e aspiratorit gjeti më shumë se 400 mijë euro dhe bizhuteri floriri.
Para uniformave blu Rozeta Dobi më herët ka dëshmuar se vjedhjen e ka kryer në shenjë hakmarrje ndaj Alda Klosit pasi e urrente për mënyrën si ajo e trajtonte. Ndërkohë enigmë ka mbetur fakti se cili është burimi i këtyre shumave të mëdha të parave.