Një 28-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet se tentoi të vriste me armë zjarri një person, pas një sherri me të, një ditë më parë.
Njoftimi i policisë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit se gjatë një konflikti për motive të dobëta, në rrugën “Shaban Bardhoshi”, një shtetas ka qëlluar me armë zjarri drejt një shtetasi tjetër, dhe më pas është larguar, kanë organizuar punën me qëllim kapjen e autorit të dyshuar dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Speed”.
Si rezultat i punës dhe veprimeve të shpejta profesionale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, brenda pak orësh, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: Emra Korteshi 28 vjeç, banues në Kombinat, për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Korteshi ditën e djeshme, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në Kombinat, në rrugën “Shaban Bardhoshi”, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, Enrid Ismailajn, 35 vjeç, dhe më pas është larguar. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë.