Teknika speciale për hetimin e grupeve kriminale, OSBE trajnon 16 hetues të BKH

21 June 2022, 17:14Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Teknika speciale për hetimin e grupeve kriminale, OSBE trajnon 16 hetues
Foto nga trajnimi i hetuesve të BKH

OSBE ka përmbyllur trajnimin 3 ditor për 16 hetuesit e rinj të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët sapo kishin kaluar procesin e Vettingut.

Sipas një njoftimi të shpërndarë në rrjetet sociale, bëhet me dije se trajnimi është përqëndruar në teknikat speciale për hetimin e grupeve të krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit, përvojat më të mira rajonale në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe përpunimi i ligjshëm i të dhënave personale. 

Njoftimi i plotë:

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri vazhdon të mbështesë Byronë Kombëtare të Hetimit për fuqizimin e kapaciteteve të saj hetimore

Ditën e sotme përmbyllëm një program trajnimi tre-ditor për 16 hetues të porsapërzgjedhur të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të cilët e kanë kaluar me sukses procesin e vetingut.

Programi i trajnimeve kishte për synim forcimin e kapaciteteve të përgjithshme të BKH-së së porsathemeluar për të kryer hetime penale kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe grupeve të kriminalitetit të organizuar transnacional. Trajnimi u përqendrua në tema të tilla, sikurse teknikat speciale për hetimin e grupeve të krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit, përvojat më të mira rajonale në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe përpunimi i ligjshëm i të dhënave personale. Modulet e trajnimit u zhvilluan në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Shqipëri, Policinë Federale Kriminale Austriake dhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Kjo veprimtari u zhvillua në kuadër të mbështetjes së përbashkët, me përfshirjen e disa prej departamenteve të saj, që Prezenca e OSBE-së ofron në përkrahje të agjencive ligjzbatuese shqiptare për të luftuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal. Në përputhje me mandatin e saj në ndihmë të agjencive ligjzbatuese shqiptare për ngritjen e kapaciteteve, përmirësimin e profesionalizmit dhe mbështetjen e zhvillimit dhe reformave në polici, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vazhdojë të mbështesë ngritjen dhe funksionimin efikas të BKH-së në bashkëpunim me Programin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ICITAP dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.


Video