Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit ka reaguar pas lajmit mbi një propozim për furnizim me ujë me trasnferim burimi nga Syri i Kaltër drejt Korfuzit.
Ministria mohon të ketë një marrëveshje të tillë, teksa deklaron se nuk ka patur as edhe diskutime për një projekt të ngjashëm. Në reagim shtohet më tej se prej Janarit të këtij vitit, Syri i Kaltër ka marrë një status më të lartë mbrojtjeje, atë të “Parkut Natyror” me një sipërfaqe të rritur në 293 hektarë.
“Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nisur nga disa lajme të përhapura në media të ndryshme mbi një propozim/memorandum teknik të supozuar të furnizimit me ujë me transferim burimi nga Syri i Kaltër drejt Korfuzit, sqaron:
Nuk ka asnjë marrëveshje të tillë dhe as nuk ka pasur diskutime për një projekt të ngjashëm sipas lajmit të përhapur nga mediat. Pretendimet e ngritura janë të pavërteta.
Syri i Kaltër është një pasuri natyrore e Shqipërisë, i cili me vendimet e muajit janar 2022 ka marrë një status më të lartë mbrojtjeje, atë të “Parkut Natyror” me një sipërfaqe të rritur në 293 hektarë, për të mbrojtur më mirë Monumentin e Natyrës me të njëjtin emër, që mban brenda parkut”, shkruan ministria.