
Gjykata e Posaçme i ka kërkuar SPAK-ut që të marrë nën hetim dhe të ngrejë akuza edhe për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani në lidhje me koncesionin e sterilizimit.
Burime të Top Channel pohojnë se vendimi i gjykatës së posaçme është marrë që në muajin qershor, por SPAK ka dërguar kërkesat për ekzekutimin e vendimeve vetëm pak ditë më parë.
Në të njëjtin vendim, Gjykata Antikorrupsion ka urdhëruar SPAK që të paraqesë edhe 6 masa të tjera sigurie, mes tyre edhe për ish ministrin Ilir Beqaj. Por SPAK, nuk ka dorëzuar ende një mase të dytë, thanë burimet.
Gjithashtu, gjykata ka urdhëruar institucionet përgjegjëse që të marrin masa dhe të shpallin të pavlefshëm kontratën koncesionare për sterilizimin, pasi sipas vendimit ky koncesion është dhënë në konflikt të hapur interesi, pasi biznesmeni Ilir Rrapaj ka njohje me ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Në lidhje me këto hetime, SPAK ka thirrur për të dëshmuar sërish këtë të enjte ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ndërsa më herët është paraqitur po për të dëshmuar ish-ministrja e Financave, Anila Denaj.
Koncesioni i sterilizimit tejkalon 100 milionë eurot në 10 vite. Bilancet financare të dorëzuar në qendrën kombëtare të bizneseve nga kompani tregojnë se vetëm për vitin e kaluar të ardhurat e saj kanë qenë rreth 14 milionë euro./Tch