Sot festohet Pashka, besimtarët ortodoksë pritën në mesnatë ngjalljen e Krishtit

16 April 2023, 08:19Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Sot festohet Pashka, besimtarët ortodoksë pritën në

Të gjithë besimtarët ortodoksë festojnë sot Pashkët. Në mesnatë, ata kanë mbushur kishat në të gjithë vendin ku kanë ndjekur meshën e ngjalljes së Krishtit. Ceremonia ka zgjatur deri pas mesnatës dhe pas saj, vezët e Pashkës të lyera me të kuqe, me ngjyrën e gjakut të Krishtit, janë çukitur me ardhjen e ditës së shënuar për të gjithë krishterimin ortodoks në mbarë botën.

Një mesazh për këtë festë erdhi nga Presidenti Bajram Begaj i cili uroi besimtarët dhe shkroi se sjell ringjalljen e jetës dhe shënon një nisje të re.

Në Tiranë, mesha u kremtua në Katedralen Ngjalla e Krishtit, nën drejtimin e Kryeposhkepit Anastas. Në Berat, ceremonia e Pashkës u kremtua në Katedralen “Shën Dhimitri” dhe u drejtua nga At Johan Qako dhe u ndoq nga qindra besimtar.

Ata morën dritë nga drita e Zotit, duke ndezur qirinjtë dritë që çdo besimtar ortodoks e përcjell me vete në shtëpinë e tij, si shenjë mirësie dhe shpresës për të marrë bekimin e Zotit. Mesnata, që shënoi edhe ringjalljen e Krishtit, kulmoi në sheshin qendror të qytetit, jashtë Katedrales “Shën Dhimitri”,ku të gjithë besimtarët ndriçuan qytetin me dritën e Zotit, me qirinj në duar.

Edhe në Vlorë, mesha u mbajt në kishën Shën Theodhori. Besimtarët morën mesazhin se në këtë ditë të madhe tregohet fitorja e jetës mbi vdekjen e dritës mbi errësirës dhe e dashurisë mbi urrejtjen. Në Sarandë, me qirinjtë e lutjes në duar, besimtarët kanë kremtuar Pashkët.

Ngjyra e kuqe simbolizon gjakun e Krishtit dhe përplasja e tyre simbolizon çarjen e pushtetit te Ferrit me ngjalljen e Krishtit. Vezët janë simbol i lindjes së jetës nga guaska e vdekjes. Fjala Pashkë shoqërohet me fjalën e ndritshme, duke treguar ose simbolizuar dritën, që del nga varri i Krishtit.

Madje për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës besimtarët marrin me anë të llambave të zbukuruara dritën, të cilën klerikët e marrin nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë.


Video