
Prokuroria e Fierit njoftoi të enjten se kishte lëshuar 14 masa sigurimi ndaj drejtuesve të kompanisë “Bankers Petroleum Albania Ltd” dhe disa personave me pozicione drejtuese në këtë kompani, që janë sipas prokurorisë të dyshuar për shmangie tatimore dhe vepra të tjera penale gjatë një periudhe 20-vjeçare.
Drejtori i përgjithshëm i kompanisë, Hongping Xiao dhe ish-drejtori Leonidha Çobo u arrestuan të mërkurën, ndërkohë janë ekzekutuar edhe 7 masa të tjera sigurimi të lëshuara nga Gjykata e Fierit. Prokuroria bëri me dije se pesë persona, kryesisht me shtetësi të huaj, janë shpallur në kërkim.
Për këtë situatë ka reaguar edhe Sindikata e Sektorit Hidrokarbur që thekson se do të mbrojë të drejtat e punonjësve.
Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve, Dritan Shahu, është shprehur se duan të garantojnë që vijueshmëria e kompanisë të mos prekë punonjësit.
Shehu kërkon transparencë nga institucionet përgjegjëse dhe drejtuesit e kompanisë.
"Kemi kërkuar një informacion nga kompania, jemi në pritje të përgjigjes”, u shpreh Shahu.
Më tej ai theksoi se Bankers Petroleum nuk i ka paguar naftëtarët sipas kritereve të statusit, gjë për të cilën më herët janë zhvilluar edhe protesta prej tyre.
“Ka pasur diskutime për pagën, deklaruan pamundësi financiare. Gjykojmë që pagat e punonjësve duhet të jenë si sektorët e tjerë”, thotë Shahu.
Sakaq, Shahu u shpreh se janë të vendosur për garantimin e çdo angazhimi financiar dhe kontraktual ndaj punonjësve të kompanisë.