Vodhën 30 mijë euro në një banesë në Tiranë, kapet pas disa muajsh 49-vjeçari, vijon kërkimi për bashkëpunëtorin!

4 Korrik 2025, 13:48Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një 49-vjeçar është vënë në pranga në Tiranë, disa muaj pas një grabitjeje të ndodhur në nëntor të vitit 2024, ku së bashku me një bashkëpunëtorë tjetër, dyshohet se ka marrë 30 mijë euro dhe sende me vlerë të konsiderueshme nga një banesë.

Ai u arrestua pas një operacioni të koduar “November”, ndërsa një tjetër i përfshirë në këtë ngjarje vijon të jetë në kërkim.

Mbi të arrestuarin rëndon akuza “Vjedhje me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim”, dhe me vendim të Gjykatës së Tiranës, ndaj tij është caktuar masa “Arrest në burg”.

Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

Njoftimi:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “November”, për kapjen e një shtetasi të kërkuar për vjedhje me pasoja të rënda.

Në nëntor 2024, bashkëpunoi për vjedhjen në një banesë, të 30 000 eurove dhe sendeve me vlerë të konsiderueshme, kapet 49-vjeçari.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative, në lidhje me vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, shërbimet e komisariateve të Policisë Nr. 1 dhe Nr. 6 finalizuan operacionin “November”.

Gjatë operacionit u lokalizua, u kap dhe u ndalua shtetasi A. Ç., 49 vjeç.

Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.

Në nëntor të vitit 2024, dyshohet se shtetasi A. Ç., në bashkëpunim me shtetasin Xh. C. (i arrestuar) dhe me një shtetas tjetër (ende në kërkim), vodhi 30 000 euro dhe sende me vlerë të konsiderueshme, në banesën e shtetasit A. Ç.

Vijon puna për kapjen e shtetasit të fundit të shpallur në kërkim për këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Video