“Si Doçi ‘fundosi’ Ahmetajn tek ambasadorët”, analisti: Prokurorët u detyruan ta hetojnë ish-ministrin

22 Qershor 2023, 19:47Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Arben Ahmetaj pas daljes nga SPAK

Gazetari Adriatik Doçi, njeriu që dorëzoi dosje në SPAK ndaj ish-ministrit socialist, Arben Ahmetaj, ka hedhur sërish sot akuza ndaj prokurorit të SPAK, Klodian Braho. Ky i fundit, sipas gazetarit ka fshehur provat për ish-ministrin Arben Ahmetaj, çka e detyroi gazetarin të bënte një padi edhe ndaj këtij prokurori. Kjo solli që Braho të largohej nga drejtimi dosjes që u mor përsipër nga vetë shefi i SPAK, Altin Dumani.

“Prokurori Klodian Braho fshehu provat. Dhe pasi ky skenar u zbulua në media, dha dorëheqjen nga hetimi i dosjes ose është larguar nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani. Nuk është rastësore, që një prokuror që kishte dosjen është larguar nga shefi i SPAK, Altin Dumani, që është bërë tani prokurori kryesor i dosjes së Ahmetaj”, tha Doçi në një intervistë për gazetaren Sidorela Gjoni në “Euronews Now”.

Lidhur me këtë çështje ka folur edhe analisti Genc Burimi. Ky i fundit theksoi se SPAK nuk do ta hetonte Ahmetajn, por u detyruan nga provat dhe faktet që ta hetojnë. Pasi edhe ambasadorët u njohën me dosjen Ahmetaj, pasi dy prokurorët u paditën nga gazetari.

“A kishte tjetër mundësi SPAK-u sesa të vepronte, sepse duhet dhënë skenari i plotë. Si filloi? Filloi me një Adriatik Doçi, i cili gati një vit më parë në vjeshtën e kaluar gjen prova te kompjuteri i Klodian Zotos, përfituesi i Inceneratorëve të Elbasanit dhe të Fierit. Nuk e di si i gjeti këto prova. Ai ia çon SPAK-ut dhe thotë: shikoni kam prova kompjuterike me kartë bankare që Klodian Zoto, pra i inkriminuari kryesor ka paguar hotel dhe udhëtime për zotin Ahmetaj, dhe familjen e tij jashtë shtetit me shuma të mëdha.

Shumë bukur, këto prova i çon, por SPAK-u nuk i merr fare parasysh, ndërsa ishin në një moment hetimi të Alqi Bllakos dhe të Lefter Kokës.

Atëherë, çfarë bën Doçi? Shkon dhe hedh në gjyq dhe vetë prokurorët e SPAK-it, Ened Nakuçin dhe Klodian Brahon, dhe ia çon gjithë ambasadave dhe thotë kjo është drejtësia juaj e re? Dhe SPAK-u nuk kishte tjetër mundësi mos të hapte dosjen. Mos ta kujtojmë këtë se është një sukses i reformës në drejtësi, jo ishte një tentativë fillimisht e mbylljes së dosjes Ahmetaj, sikur të mos kishte ekzistuar.

Tani është hetimi, çfarë do të ndodhë nuk e di. Ahmetaj shkon i buzëqeshur ose do vazhdojë të pretendojë se këto prova janë fallco ose do të thotë po mi kanë paguar hotelet, por kjo s’do të thotë që unë kam bërë allishverish më tenderin. Pra nuk kemi të bëjmë me një drejtësi të motivuar, por më një drejtësi të detyruar”, tha Burimi në një intervistë për gazetaren Sidorela Gjoni në “Euronews Now”.



 

 


Video