Shtyhet në 5 mars gjyqi për Belerin, avokati: Duan bashkinë e Himarës

28 Shkurt 2024, 17:19Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fredi Beleri

Është shtyrë për në datën 5 mars seanca e radhës për shtetasin Fredi Beleri, i akuzuar për korrupsion në zgjedhjet vendore të 14 majit të vitit të kaluar.

Në seancën e sotme kanë patur mundësinë avokatët mbrojtës të Belerit të paraqesin pretendimet e tyre, duke u shprehur se sipas tyre, prokuroria nuk ka prova.

Në përfundim të seancës, ata pretenduan se gjyqi është i montuar politikisht me qëllim marrjen e Bashkisë së Himarës.

Avokati Geni Gjyzari përmblodhi të gjitha pretendimet e tij në 54 faqe. Fokusi ishte kryesisht tek provat ku kërkoi pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të të gjitha përgjimeve e vëzhgimeve që janë bërë nga Prokuroria e Vlorës, Policia dhe më pas SPAK. Kalimi i çështjes në gjyq sipas tij, për Fredi Belerin e Pandeli Kokaveshin është i pavlefshëm sepse është bazuar në prova që nuk janë marrë konform ligjit.

“Të gjitha veprimet e policisë janë bërë para se Prokuroria e Vlorës të kishte regjistruar procedimin penal. Dëshmia e Arsen Ramës është e pabesueshme pasi i ka ndryshuar 3 herë deklarimet. U vërtetua edhe në gjykatë se ai është paguar pasi çështja ka ardhur në SPAK. Nuk është vërtetuar se Arsen Rama është takuar me Fredi Belerin, por një person tjetër që ka dëshmuar në gjykatë dhe ka konfirmuar se është ai që shfaqet në pamje. Telefoni i gjetur në një makinë që sipas prokurorisë është e Pandeli Kokaveshit, ky i fundit nuk ka qenë i pranishëm në momentin që është sekuestruar prova, çka ngre dyshime nëse telefoni të jetë i të pandehurit”, tha ai.

Gjyzari u ndal edhe tek një konstatim i fortë kur tha se Arsen Rama nga datat 8 deri në 12 maj nuk ka qenë në Vlorë por në Himarë, e provuar nga ekspertiza e valëve telefonike, deklarim të cilin e përsëriti edhe në një deklaratë për mediat.

Në seancën e kësaj të mërkure, kërkoi të deklaronte edhe vetë Beleri, por relatori Erion Çela tha se për shkak të tejkalimit të orarit zyrtar dhe koha që i duhet trupës në dhomë këshillimi, seanca duhej shtyrë. Ndërkohë i pandehuri tjetër Pandeli Kokaveshi, të cilit iua ndryshua masa pas arrestimit për shkak të gjendjes së rëndë sjëndetësore, iu drejtua vetëm me dy fjali Gjykatës.

“Më ka dënuar Zoti më shumë se ç’mund të më dënoni ju. Kërkoi që nëse dënohem të merrni parasysh gjendjen time dhe të vajzës time, nëse shpallem fajtor e kam të pamundur shërbimin e provës për shkak të gjendjes shëndetësore”, u shpreh ai.


Video