Shpërthimet në veri, Kurti reagon në konferencë të jashtëzakonshme për shtyp

30 Nëntor 2024, 00:02Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reagoi me anë të një konference të jashtëzakonshme për shtyp në orët e vona të ditës së premte për dy shpërthimet në dy ditët e fundit në veri të Kosovës.

“Sulmet e fundit të rënda kriminale dhe terroriste besojmë se na vijnë nga fqinji ynë verior. Mbrëmë u hodh mjet shpërthyes në afërsi të Komunës së Zveçanit, ndërsa sot në fshatin Vragë u dëmtua kanali i ujit të Ibër Lepencit. Policia është në vendngjarje, furnizimi me ujë të pijshëm është ndërprerë përkohësisht. Ky është sulm kriminal dhe terrorist, që ka synuar dëmtimin e infrastrukturës kritike”, tha fillimisht Kurti.

“I bëjmë thirrje qytetarëve që të jenë të qetë dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve. Jemi të angazhuar për zbardhjen e rastit. Është sulm i kryer nga profesionistë, që vjen nga bandat e dirigjuara nga Serbia, që ka aftësinë për të shkaktuar sulme të këtilla. Nëse dëmi nuk riparohet, një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes, disa qytete pa ujë të pijshëm. Nuk mund të ketë adresë tjetër për përgjegjësinë e këtij sulmi përveçse Beogradi zyrtar”, shtoi Kurti.

Video