Shpërthimi i dytë në Veri lë Mitrovicën pa ujë, reagon ashpër Haradinaj

29 Nëntor 2024, 23:00Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shpërthimi i dytë në Veri lë Mitrovicën pa ujë, reagon ashpër Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është ndër të parët në radhët e politikës që ka reaguar për dy sulmet e ndodhura sot në veri të vendit.

Pas shpërthimit të dytë që ka ndodhur në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të këtij qyteti, e që ka lënë pa ujë të pijshëm rajonin e Mitrovicës, Haradinaj thotë se manifeston mungesën e qasjes proaktike të qeverisë së Kosovës përkundrejt Veriut.

“Shpërthimi i sotshëm në Ibër si edhe shpërthimi i mëparshëm në Zubin Potok manifeston mungesën e qasjes proaktive të Qeverisë së Kosovës dhe është pasojë e një politike krejt të gabuar të Qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje në këtë pjesë të Kosovës”, shprehet Haradinaj.

Në vijim, kreu i AAK kërkon që institucionet e sigurisë të punojnë ngushtë me KFOR-in dhe prezencën amerikane për të rikthyer qetësinë në veri.

“Institucionet e sigurisë të punojnë ngushtë me KFOR dhe prezencën amerikane. Naiviteti dhe mosnjohuria me esencën e problemit nga ana e zyrtarëve politikë të Qeverisë po rrezikon infrastrukturën strategjike të Kosovës. Mjaft më me filma!”, thotë Haradinaj.

Video