
Detaje të reja kanë dalë nga përplasja e mbrëmshme e djemve të Tom Doshit, të cilët u shpallën në kërkim nga ana e policisë.
Një nga djemtë e tij është konfliktuar me shtetasin me inicialet R.S., në një sallon në zonën e ish-Bllokut. Konflikti mes tyre konsiderohet banal për një foto Instagrami. Fillimisht dy të rinjtë janë konfliktuar bashkë, duke shkëmbyer grushte mes tyre.
Më pas djali i ish-deputetit socialist është larguar për t’u rikthyer së bashku me vëllain dhe bodygardin e tij të identifikuar si Eduart Laskaj. Ata kanë goditur me sende të forta dhe shufër hekuri 38-vjeçarin. Ai është larguar nga aty dhe ka lajmëruar forcat e policisë duke i kërkuar ndihmë. Menjëherë forcat e policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë parë të riun të gjakosur.
I riu i ka kërkuar ndihmë policisë sepse po e qëllonin me sende të forta. Pas tij kanë ardhur dhe dy djemtë e ish-deputetit dhe bodygardi i tij, ku kanë vijuar ta qëllonin 38-vjeçarin.
Në këtë moment ka ndërhyrë dhe polici, por ata kanë goditur dhe punonjësin e policisë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Pas marrjes në pyetje dhe të dëshmitarëve të tjerë në sallon, policia ka identifikuar dy djemtë e ish-deputetit, të cilët i ka shpallur në kërkim, si dhe ka arrestuar bodygardin.
Njoftimi i polisë:
James dhe Marcos Doshi, dy djemtë e Tom Doshit, janë shpallur në kërkim sot nga Policia, të akuzuar se kanë rrahur një person dhe më pas kanë dhunuar edhe efektivët e policisë.
Ngjarja është regjistruar në zonën e ish-Bllokut, ku James Doshi, 22 vjeç, vëllai i tij, Marcos 20 vjeç dhe shoku i tyre, 34-vjeçari Eduart Laskaj i arrestuar, janë përfshirë në një konflikt me një 38-vjeçar, duke e goditur atë me sende të forta. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë, por tre të rinjtë nuk i janë bindur efektivëve, duke i kundërshtuar dhe më pas i kanë goditur. Laskaj ka deklaruar se sherri me 38-vjeçarin kishte nisur në rrjete sociale dhe më pas agravoi në ish-Bllok.
Dy djemtë e Tom Doshit akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Prishja e qetësisë publike”, të kryera në bashkëpunim.
Shoku i tyre akuzohet për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.