Policia e Tiranës ka identifikuar dhe proceduar penalisht katër persona, përfshirë edhe një femër, të cilët u konfliktuan fizikisht gjatë mosmarrëveshjes për bllokimin e rrugës së makinës.
Gjithashtu, është proceduar kujdestarja e akuzuar për dhunë ndaj një të mituri si dhe është shoqëruar në spital shoferi i cili bllokoi trafikun në Paskuqan. Sipas policisë, ai ishte i dehur.
Arrestimet dhe procedimet e 24 orëve të fundit:
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin A. M., 30 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. R., 32 vjeç, pasi shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i gjetën 30-vjeçarit, një sasi Cannabisi, ndërsa 32-vjeçarit, një mjet prerës (thikë).
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1:
-arrestuan shtetasin E. Ç., 27 vjeç, pasi u kap jashtë banese, duke qenë me masë sigurie “Arrest në shtëpi”;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen A. L., 35 vjeçe, kujdestare në një qendër rezidencale për fëmijë, pasi dyshohet në bazë të disa pamjeve filmike të publikuara në një portal, ka konsumuar elementët e veprës penale”Keqtrajtimi i të miturit”. Vijojnë hetimet për dokumentimin e rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me rastin.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin S. M., 25 vjeç, pasi ka kallëzuar përfaqësuesi i një objekti kulti, se e ka përndjekur dhe ka penguar besimtarë të hynë në objekt.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3:
-arrestuan shtetasin Sh. K., 29 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur një biçikletë;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit S. I., 27 vjeç, F. P., 21 vjeçe, S. H., 22 vjeç dhe R. K., 30 vjeç, pasi dyshohet në bazë të disa pamjeve filmike të publikuara në një portal, se për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht, në rrugën “Hysni Gërbolli”, si dhe i kanë bllokuar me automjete, lëvizjen, njëri-tjetrit. Gjithashtu, dyshohet se gjatë konfliktit, shtetasi R. K. ka dëmtuar automjetin që përdorte 27-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. A., 52 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur bashkëshortin e vajzës së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. K., 23 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobtëa, ka kanosur me mjet prerës, fqinjin.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin E. H., 28 vjeç, pasi dyshohet se ka dhunuar babanë e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7 shpallën në kërkim shtetasin E. L., 48 vjeç, pasi ka kallëzuar një 52-vjeçar, se për motive të dobëta, e ka kanosur dhe goditur. Si pasojë, 52-vjeçari është dëmtuar lehtë. Punohet për kapjen e shtetasit E. L., si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Specialistët e qarkullimit rrugor:
-arrestuan shtetasin V. C., 32 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje;
-arrestuan shtetasin A. R., 50 vjeç, pasi motomjeti që dyshohet se drejtonte pa leje dhe në gjendje të dehur, është përplasur me një automjet. Si pasojë, pati vetëm dëme materiale;
-arrestuan shtetasen E. P., 24 vjeçe, pasi me automjetin që drejtonte, ka përplasur këmbësorin, shtetasin M. H., 84 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve;
-arrestuan shtetasin I. V., 35 vjeç, pasi ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte pa leje dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti është dëmtuar pasagjeri në këtë automjet, shtetasi P. Gj., i cili është në kujdesin e mjekëve;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. K., 44 vjeç, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi motomjetin që drejtonte dhe si pasojë motomjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti është dëmtuar 44-vjeçari, i cili është në kujdesin e mjekëve.
Pas publikimit të një videoje në një portal, në të cilën shfaqet një shtetas që pengon qarkullimin në zonën e liqenit të Pakuqanit, nisën verfikimet e nevojshme, në përfundim të të cilave rezultoi se shtetasi që shfaqet në video, H. K., 34 vjeç, i ka kryer këto veprime, në gjendje të dehur. Ai u shoqërua në spital, për të marrë asistencën e nevojshme, dhe më pas në banesë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.