"S'e blejmë dot 50 mln euro", Prençi kundër Peleshit: 4 helikopterë s’kushtojnë më shumë se 12 mln euro

29 June 2022, 19:08Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"S'e blejmë dot 50 mln euro", Prençi kundër
Shemsi Prenci dhe Niko Peleshi

Ish-drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi deklaroi se Shqipëria i ka mundësitë financiare për të blerë helikopterë për shuarjen e zjarreve, duke dalë kundër arsyetimit të Ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Para disa javësh, Peleshi deklaroi se Shqipëria nuk mund të blejë dot avion 50 milionë euro avion për shuarjen e zjarreve, por sipas Prençit, vendi ynë duhet të ketë të paktën 4 helikopterë, të cilat nuk kushtojnë më shumë se 12 milionë euro.

“Duke ndjekur prononcimit të Ministrit të Mbrojtjes, personit politik përgjegjës për menaxhimin e krizave, do thoja se Shqipërisë i duhet vizioni i lidershipit. Shqipëria domosdoshmërisht ka nevojë për një flotë, sado të vogël, 3 ose 4 helikopterë që duhet të jenë në gatishmëri.

Unë nuk bie dakord me Ministrin e Mbrojtjes dhe me të gjithë ata që e këshillojnë atë, që Shqipëria nuk ka kapacitete dhe mundësi financiare, pasi 4 helikopterë nuk bëjnë më shumë se 12 milionë euro, në një kohë kur ne 12 ose 20 milionë euro i konsumojmë për të bërë 1 kilometër rrugë”, theksoi Prençi në EuroNews Albania.

Ai nënvizoi se mbi 60% të territorit të Shqipërisë, është terren malor dhe tepër malor, ndaj është e domosdoshme investimi në infrastrukturën ajrore.

Pak ditë më parë, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi raportoi në Komisionin e Sigurisë lidhur me situatën e zjarreve në vend. Peleshi tha se Shqipëria nuk i ka kapacitetet për të blerë avionë të posaçëm për shuarjen e zjarreve, pasi sipas tij, përveç faktit që kushtojnë shumë, kanë shpenzime të konsiderueshme për mirëmbajtje.


Video