Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i dështuar me rreth 200 gram eksploziv me telekomandim ndaj Drejtoreshës së Operatorit të Kujdesit Shëndetësorë në Shkodër, Suida Kuka.
Burime bëjnë me dije se Kuka ka marrë një mesazh në telefonin e saj, nga një numër i panjohur ku është njoftuar për lëndën plasëse tek goma e "Range Rover-it" të saj. Menjëherë pas këtij mesazhi ajo ka marrë në telefon forcat e policisë së Shkodrës të cilët kanë rrethuar zonën dhe kanë kërkuar evakuimin e të gjithë institucionit.
Ky mesazh duket se ka qenë dhe shpëtimi i Sudia Kukës dhe shmangia e një tragjedie të mundshme. Në dëshminë e saj në policinë e Shkodrës, Kuka ka deklaruar se nuk e njihte atë numër, ndërkohë që pikërisht në këtë moment policia e Shkodrës dhe prokuroria po hetojnë edhe në lidhje me tabulatet telefonike dhe po kërkohet gjurmimi i numrit që dërgoi mesazhin.
Nga ana tjetër në dëshminë në polici ajo ka deklaruar se nuk ka konflikte me persona te tjerë ndërkohë që edhe sa i takon detyrës si titullare e institucionit nuk ka pasur konflikte apo presione.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së biznesve pranë vendit të ngjarjes, për të parë levizjet e dyshimta dhe personin me motor që dyshohet se ka vendosur lëndën eksplozive.
Ende nuk ka një pistë hetimi nga ana e policisë së Shkodrës megjithatë ajo çfarë bëjnë më dije burimet mësohet se po hetohet në lidhje me pozicionin e punës së Drejtoreshes Kuka.