Suida Kuka është vetëm 28 vjeç, me profesion stomatologe, por dje iu desh të njoftonte policinë pasi poshte makinës së saj tip “Range Rover” i ishte vendosur një bombë e sofistikuar me telekomandë.
Duket një “shpenzim” i madh nga financuesit e këtij atentati të mbetur në tentativë për një 28-vjeçare, e cila sapo ka nisur karrierën ku gjasat që të ketë bërë “flamuj të kuq” gjatë këtij rrugëtimi ende të shkurtër janë të pakta.
Pas njoftimit, policia e ka konstatuar eksplozivin poshtë makinës, të mbështjellë me një qese kroasanti, ndërsa më pas u bë një shpërthim i telekomanduar nga ekspertët e RENEA-s.
Suida Kuka ka deklaruar në polici se nuk kishte konflikt me askënd. Policia nuk e ka ende të qartë se kush mund të ketë dashur ta eliminojë të renë apo nëse ka qenë thjesht një mesazh ndaj dikujt tjetër.
Policia është duke verifikuar vendimet e Kukës gjatë detyrës së saj si drejtoreshë e Operatorit te Kujdesit Shëndetësor Shkodër për të zbuluar nëse gjatë kësaj periudhe ka qenë apo jo dikush i prekur prej kësaj veprimtarie që mund të çojë deri në vendosjen e një bombe poshtë makinës, shkruan ABC.
Po ashtu, një pistë tjetër është dhe ajo e ndonjë gjobe të papaguar. Mësohet se babai i saj është biznesmen dhe policia dyshon se ndonjë prej grupeve kriminale të Shkodrës t’i ketë vënë gjobë të atit të saj dhe pasi ai nuk e ka paguar, ta kenë paralajmëruar përmes së bijës.
Duket një skenar i ngashëm me serialet e filmave me kartelet meksikane apo kolumbiane, por ky është tashmë realiteti me të cilin janë duke u përballur shkdoranët, por edhe banorët e mjaft qyteteve të tjera në Shqipëri.
Për fat të mirë, Suida Kuka i shpëtoi këtij atentati në tentativë, ndërkohë që për policinë ngjarja mbetet ende mister, sidomos në një qytet si Shkodra ku askush nuk flet dhe krimi bën kërdinë.