Rrezik nga ortekët/ Policia bllokon qarkullimin në segmentin Bogë–Qafë Thore–Theth

10 Janar 2026, 19:11Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Policia bllokon qarkullimin në segmentin Bogë–Qafë Thore–Theth

Segmenti rrugor “Bogë – Qafë Thore – Theth” do të mbetet i bllokuar gjatë natës për shkak të rrezikut të lartë nga ortekët e dëborës, si pasojë e kushteve të përkeqësuara atmosferike.

“Bazuar në analizën e riskut dhe pas komunikimit me inxhinierët e firmës kontraktore për mirëmbajtjen e rrugës, në segmentin rrugor ‘Bogë – Qafë Thore – Theth’, për shkak të rrezikut nga ortekët e dëborës si pasojë e kushteve të përkeqësuara atmosferike, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve gjatë natës, pasi rrezikshmëria është e lartë, edhe për shkak të kufizimit të fushëpamjes. Ky segment rrugor do të mbahet i bllokuar deri në mëngjes”, bëhet me dije në një njoftim nga Policia e Shtetit.

Më tej, sqarohet se kalimi i automjeteve do të lejohet vetëm në raste emergjence dhe gjithmonë në shoqërim të mjeteve borëpastruese dhe shërbimeve policore.

Policia apelon drejtuesit e mjeteve të respektojnë udhëzimet e shërbimeve në terren dhe për çdo nevojë apo emergjencë të kontaktojnë në numrin “112”.


Video