Rikthehet këtë vit në Tiranë edicioni i dytë i panairit të suksesshëm të automotivave, "Automotive Fair Albania II", një event madhështor që do të mbledhë për katër ditë në kryeqytet mijëra adhurues të automjeteve, biznesmenë dhe personalitete të shumta nga vendi dhe bota.
Nga data 26 deri në datën 29 tetor, Pallati i Kongreseve do të shndërrohet në një hapësirë për të gjithë të pasionuarit pas automjeteve klasike, atyre moderne, teknologjisë së automjeteve dhe jo vetëm. Panairi do të ndahet në katër pavione, një prej të cilëve do t’i dedikohet tërësisht risive teknologjike dhe “start-up”-eve që lidhen me automjetet.
Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe ka zbuluar një sërë detajesh interesante nga ky eveniment madhështor. Gonxhe tha se eventi do të shtrihet edhe jashtë Pallatit të Kongreseve, duke kombinuar ekspozitat e mjeteve klasike dhe atyre moderne me garat plot adrenalinë të makinave sportive.
“Transporti është epiqendra e të gjithë jetës, zhvillimit, lëvizjes, nuk ka ekonomi, zhvillim pa transport. Vitin e kaluar patëm 1.5 milionë mjete me targa të huaja që tranzituan në Shqipëri. Situata e lëvizjes në vend ka qenë një sfidë e vërtetë. Sivjet kemi pasur 60 mijë mjete të reja të regjistruara në vend. Rrotullohemi, jemi me makinën me mjetin me transportin rrugor. E gjithë kjo bën që industria automotive mblidhen në këtë takim të madh vjetor, e cila është një mundësi shumë e mirë për t’u takuar për të parë, për të diskutuar e për të gjetur zgjidhje sa më të mirë për politikat. Një temë do të jetë ajo e motomjeteve. Motoçikletat klasike, një mjet që lëviz kollaj në trafik dhe ul trafikun”, u shpreh Gonxhe në një intervistë në emisionin “Breaking” në Top News.
Gonxhe zbuloi edhe një detaj të veçantë, teksa tha se në këtë panair do të zbulohet për herë të parë “supermakina made in Albania”.
“Janë katër ditë, kemi edhe tre forume, Green City, së bashku me Bashkinë e Tiranës dhe atë të Elbasanit. Forumet do të prekin tema të ndryshme. Kemi edhe një forum shumë të mirë për start-up-et që konsistojnë te talentet, shpikjet, bota e teknologjisë për digjitalizim. Do të jetë një kat i tërë. Do të mbahet në pjesën e brendshme të Pallatit të Kongreseve, dhe do të zhvillohen gara brenda qytetit, si dhe do të ketë pista. Është një festival i tërë. Do të zbulohet supermakina e parë shqiptare. Do të vijë dita që do të kemi njësi prodhimi të makinerive rrugore”, tha Gonxhe.
Gonxhe tha se gjatë katër ditëve të panairit, politika, biznesi por edhe të pasionuar pas automobilizmit do të diskutojnë, duke shkëmbyer mendime, ide për problematikat e industrisë automotive në vendin tonë.
“Ne duam ta kapim atje ku e lamë. Në fillim të shekullit të kaluar kemi patur një kulturë të madhe automotive, dhe pati një pauzë për shkak të regjimit. Tashmë duam të kthehemi aty ku përkasim. Ky është një investim shumë më largpamës sesa shikimi i disa makinave të bukura në Tiranë. Sytë i kemi nga Italia, ata kanë një kulturë shumë të madhe”, u shpreh Gonxhe.