Avokati i Berishës kërkon përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, Gjokutaj: E kemi paditur edhe në SPAK

24 October 2023, 16:57Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Avokati i Berishës kërkon përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka,
Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj

Avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha kanë paditur në SPAK gjyqtaren e GJKKO-së Irena Gjoka, për shkelje, sipas tyre, të Kushtetutës.

Teksa seanca është duke vijuar në GJKKO, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj deklaroi se pak çaste më parë ka dorëzuar kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Gjoka nga procesi.

Sipas tij gjyqtarja ka shpërdoruar detyrën, teksa ka miratuar masën “detyrim paraqitje” me “ndalim të lëvizjes jashtë vendit”, çka sipas palës mbrojtëse është në shkelje me Kushtetutën, pasi një deputeti të Kuvendit nuk mund t’i ndalohet lëvizja.

“Nga ana e zotit Berisha sot është bërë kallëzim në SPAK ndaj gjyqtares së çështjes për "shpërdorim detyre", shkelje të Kushtetutës. Kemi kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka dhe kemi dorëzuar kërkesën. Po presim për vendimin e shqyrtimit të kërkesës për përjashtimin e saj.

Ne nuk vijmë këtu që të na jepen 2-3 orë për 20 mijë faqe. Ne jemi për një proces të rregullt. Ai na ka autorizuar ne me prokurë të posaçme dhe gjykata e pranoi”, u shpreh Gjokutaj.

Megjithatë, mësohet se kërkesa për përjashtimine  gjyqtares Irena Gjoka nuk është regjistruar ende në kryesekretari, deri në këto momente, pasi kërkesa është parashtruar vetëm verbalist nga pala mbrojtëse.


Video