
Ditën e sotme zhvillohet gjyqi për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin, i cili është në burg për blerje votash.
Ndërkohë, teksa pritet nisja e seancës, dy persona kanë ngritur një banderolë para GJKKO, në të cilën shkruhet “Beleri në jug, Radoiçiçi në veri’.
Seanca e pak diteve me pare u shty pas largimit të Etleva Dedes nga trupa gjykuese. Në vend të saj u caktua Flora Hajredinajn si gjyqtare zëvendësuese e cila kërkoi kohë për t’u njohur me dosjen.
Kujtojmë se avokatët e Fredi Belerit kërkuan pavlefshmëri totale të dosjes së prokurorisë. Fredi Beleri dhe anëtari i shtabit të tij Pandei Kokaveshi u arrestuan më 12 maj me akuzën e korrupsionit në zgjedhje.
Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, duke u bërë i vetmi kandidat në Shqipëri që zgjidhej në një post publik ndërsa ishte në qeli.
Prokuroria e akuzon Belerin për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, duke pretenduar se ka provuar tej çdo dyshimi se ai i kishte ofruar një bashkëpunëtori të policisë 50 euro për çdo votë që mund të gjente në favor të tij si kryetar i Bashkisë së Himarës. Për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi.