
Gjatë takimit me fermerët në Durrës, kryeministri Edi Rama tha se qeveria nuk mund të vendosë çmime për ushqimet pasi nëse e bën atëherë falimenton çdo gjë.
Ai u shpreh më tej se nëse e bën me urdhër uljen e çmimit të naftës nuk do të ketë më produkt pasi tregtarët do të falimentojnë.
Ai u shpreh se detyra morale e qeverisë është që të bëjë transparencë, prandaj për këtë arsye do të monitorojë çmimet e karburanteve, të disa ushqimeve bazë, por paralajmëroi edhe për imputet bujqësore.
“Me ndërhyrjen që po bëjmë për të mbajtur në kontroll disa çmime, jo për të vendosur çmime, nuk vendos çmime qeveria se disa nuk e kuptojnë. Nëse qeveria shkon dhe vendos çmime siç unë mendoj se është çmimi që i pëlqen popullit, për një muaj falimenton çdo gjë këtu. Se janë ca thonë, po mirë mo çoje atë ndreq nafte 170 lekë. Nëse e bëj me urdhër nuk ka më naftë, falimentojnë ata, mbyllen. Ja ku janë prodhuesit këtu. Si do të ndodhte sikur t’i vihej me urdhër që grurin që prodhoni këtu do ta shisni kaq. Çfarë do të ndodhte? Shumë e thjeshtë do mbeteshin dhe nuk do të kishte furnizim. Qeveria në kushtet e një krize të shkaktuar nga një luftë, ka të drejtën dhe detyrimin moral që të bëjë transparencën dhe të monitorojë çmimet e shumicës dhe pakicës për karburantin, për disa ushqime bazë dhe në këtë rast për imputet bujqësore. Do të bëjmë kontrolle, do të flasim me të gjithë ata që i tregtojnë që të bëjmë transparencë në çmime. Por e gjithë kjo duhet ta keni shumë të qarta, nëse rritja e çmimeve është diçka që ndodh në të gjithë botën, nuk ka qeveri në botë që e frenon”, u shpreh Rama.