
Ka nisur protesta e tetë e qytetarëve shqiptarë kundër rritjes së çmimeve.
Protesta nis nga sheshi “Skënderbej”, ndërsa më pas qytetarët kanë marshuar drejt Kryeministrisë.
Para nisjes së protestës, policia ka marrë masa. Ajo është vendosur në zona të ndryshme për të monitoruar dhe mbajtur në kontroll situatën. Deri tani nuk ka pasur incidente në protesta, përveç disa të shoqëruarve.
Nga ana tjetër, ambasada amerikane në Tiranë u ka bërë thirrje shtetasve të saj që jetojnë apo po qëndrojnë në kryeqytet, që të kenë kujdes dhe të shmangin zonat ku do të mbahet sot protesta kombëtare kundër rritjes së çmimeve.
Kështu, si çdo herë tjetër kur janë bërë protesta, qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin lëvizjet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe të ndjekin mediat lokale, pasi tubimi sipas ambasadës mund të përshkallëzohet në mënyrë të shpejtë.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama, ka ironizuar vazhdimisht këto protesta, që sipas tij janë prej disa njerëzve që duan të bëjnë rrëmujë.




