
Hetimet për Bashkinë e Kamzës kanë vënë në lëvizje me veprime konkrete Prokurorinë e Posaçme duke i dërguar fletëthirrje Rakip Sulit. Kryebashkiaku i Kamzës do të paraqitet sot më (1 nëntor) në orën 10:00 në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për t’u marrë në pyetje.
Pas kallëzimit për veprat penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, SPAK regjistroi procedim penal për bashkinë e drejtuar nga Suli.
Nga hetimet ka rezultuar se ka disa raste të abuzimeve me kompensimet e fondit të rindërtimit.
Deri tani nga 10 kallëzues janë thirrur 4 prej tyre, ndërsa 6 të tjerë do pyeten këtë javë. Banorët e Kamzës u paraqitën të martën e kaluar (24 Tetor) në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për të dhënë deklarimet e tyre për kallëzimin e depozituar në SPAK pak javë më parë ndaj kryebashkiakut.