Premtime “bosh” për Policinë e Shtetit: Kreditë e buta për të gjithë, por vetëm 25 kuota për 12 mijë efektivë

17 Mars 2025, 13:40Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ervin Hoxha

Për të tretën herë, qeveria vendosi rihapjen e procesit për kreditë e buta në administratë, këtë herë me një numër më të lartë dhe më gjithëpërfshirës.

Ndryshe nga dy herët e para, kur kuotat kanë qenë minimale në shifrën e 100 përfituesve nga Policia e Shtetit, Ministria e Shëndetësisë dhe Garda e Republikës, këtë herë, thirrja është hapur për të shpallur fitues 530 punonjës të administratës publike nga 3 dikastere; Ministria e Brendshme, ajo e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë.

Kriteret kryesore për përfitimin janë të qenit i pastrehë dhe të mos jenë përfitues nga programe të tjera strehimi.

Por çfarë ka ndodhur me shpërndarjen e 530 kuotave. Një numër të konsiderueshëm të tyre, gati 90 i ka Ministria e Brendshme, bashkë me institucionet e varësisë si Garda e Republikës, Autoriteti i Mbikqyrjes Policore, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, si dhe disa institucione të tjera varësie të vogla.

Praktikisht, një nga institucionet më të mëdha në vend, përveçse nga rëndësia, Policia e Shtetit, që ka në organikën e saj 12 mijë punonjës, duhet të ketë edhe numrin më të lartë të kuotave. Madje, kur u bënë ndryshimet në ligj, trumbetimi më i madh ishte që përfituesit më të shumtë do të jenë pikërisht uniformat. Kjo, edhe si një lloj shpërblimi për të gjitha vitet e keqpaguara, por edhe si një nga sektorët më sensibël të shoqërisë.

Ky është viti i tretë që përfitohet kjo kredi. Në dy vitet e para, vëmendja dhe fokusi ka qenë pikërisht tek Policia e Shtetit. Pra, në vitin e parë 100% e kuotave i kaluan këtij institucioni, në vitin e dytë u ndanë mes Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Autoritetit të Mbikqyrjes Policore.

Praktika është e tillë, që pasi dalin kuotat, vetë Ministri i Brendshëm, bën një urdhër ku ndan zërat se për kë do të shkojnë. Këtë vit, Ervin Hoxha ka nxjerrë një rregullore tërësisht të re.

Duke bërë një ndarje kuotash si më poshtë:

25 kuota për Policinë e Shtetit

15 kuota për Gardën e Republikës

10 kuota për Agjënsinë e Mbikqyrjes Policore

40 kuota për aparatin dhe varësinë e Ministrisë së Brendshme.

Për ta kuptuar më thjesht, pra për 12 mijë punonjës policie, hiq këtu, një pjesë që kanë përfituar ose nuk plotësojnë kushtet dhe kriteret për të përfituar,( që janë një numër shumë i vogël), vetëm 25 prej tyre, do të mund të përfitojnë nga lehtësirat e krijuara nga shteti shqiptar për tu bërë pronarë të një banese.

Të tjerët do të jenë punonjësit e tjerë të ministrisë dhe institucioneve të varësisë.

Por kush i mbron interesat e trupës së Policisë së Shtetit në këtë proces?

Në dallim nga vitet e shkuara, kur pjesë e Komisionit të Vlerësimit të aplikimeve ka qenë edhe një zyrtar nga Drejtoria e Policisë, kësaj here, Komisionet e Vlerësimit drejtohen nga Ministria e Brendshme.

“Replikë” i ka parë dokumentet e hartuara nga MPB për këtë proces, ku shihet qartësisht se në komisionet e vlerësimit të aplikimeve, përfshirë edhe sekretariatin teknik në mbështetje të komisionit të shqyrtimit të ankesave, dhe mbështetësit e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, përbëhen vetëm nga punonjës të Ministrisë dhe nuk ka në mesin e tyre asnjë emër nga institucionet përkatëse përfituese të kuotave.

Ndërkohë që aplikimi për thirrjen ka filluar dhe koha nuk premton, Policia e Shtetit, si institucioni më i madh në numër, me përfitimin më të ulët në kuota dhe përfaqësimin më të vogël në procesin e aplikimin, është duke motivuar punonjësit për të aplikuar.

Por si do të vlerësohen dosjet e fituesve të Policisë së Shtetit, nëse për këta 25 emra, në sistem nuk ka akses?

Kush do ta bëjë vlerësimin për ta? Ja çfarë thotë rregullorja për aplikantët:

Në Ministrinë e Brendshme, kuotat do të plotësohen për punonjës, që ka jo më pak se një vit i punësuar në administratën publike në momentin e aplikimit e që bën pjesë në përkufizimin e pikës 54, të nenit 2, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”; punonjës, të cilët kanë jo më pak se pesë vjet të punësuar në administratën publike në momentin e aplikimit; punonjës, të cilët i përkasin kategorisë “Familje e re”, në kuptim të ligjit nr. 22/2018, të ndryshuar; punonjës, të cilët i përkasin kategorisë “Të rinj me moshë jo më të madhe se 40 vjeç” D Familjet njëprindërore, që kanë në ngarkim fëmijë.

Një sqarim:

Akademia e Sigurisë, nxjerr çdo vit rreth 400 studentë “Punonjës të Patrullës së Përgjithshme”, pra që janë të rinj në moshë jo më të madhe se 40 vjeç. Praktikisht, në bazë të ligjit të sipërcituar, edhe pretendentët kryesorë për të marrë kuotat e dhëna nga shteti shqiptar, që në vetvete nuk janë asgjë më shumë sesa një kredi që duhet paguar, dhe i vetmi përfitim është interesi 0.

Nëse marrim praktikat e policive nëpër botë, për punjësit e uniformës, ka lehtësi në të gjitha fushat e jetës. Ndërkohë, në vendin tonë, edhe njëherë që iu krijohet kjo lehtësi, përpiqet me çdo lloj mënyre, me urdhëra ministrash, të copëtohen.

Një prolog për uniformën:

Në murin e pasëm të Ministrisë së Brendshme, të bien në sy 225 yje. Janë 225 punonjës policie të rënë në detyrë. Sot të shpallur Dëshmorë të Kombit. Çdo vit, përpara syve të studentëve të Akademisë së Sigurisë, shfaqet një tjetër mur, në të cilin shkruhet:

“Nderim e mirënjohje për ju, që jetën mbrojtët me jetë” Dhe e mbyllin ciklin e studimeve më një betim, për t’i shërbyer vendit dhe flamurit, edhe nëse duhet të japë jetën.

I gjithë ky cikël, pasohet më nje valë keqpagimi, përbaltjeje e përbuzjeje. Ndër vite, ministra të shumtë, janë përpjekur të kthejnë faqen e të rikthejnë dinjitetin e munguar të uniformës, por asnjëri nuk ia ka arritur aqsa duhet. Punonjësit e policisë shqiptare, janë keqtrajtuar që nga uniforma që mbajnë të veshur. Tenderi i së cilës, u kthye në një skandal të madh publik, por që kaloi ashtu si nëpër të, pa u çuar aty ku duhet. Punonjësit e policisë shqiptare janë keqtrajtuar me pagesën për ushqim, të cilën për vite me radhë se morën, e mezi e miratuan vitin e fundit. Punonjësit e policisë janë keqtrajtuar në pagë, që edhe kjo, sërish më shumë mund, u ndryshua disi vitin që lamë pas, e hyri në fuqi këtë vit. Sa herë që përpiqen drejtues të caktuar të ndryshojnë qasjen dhe gjendjen e punonjësve, ka gjithmonë një pengesë që nuk dihet nga se buron…

Dhe pyetja e madhe pa përgjigje është: Për 25 kuota është trumbetuar kaq shumë se punonjësit e uniformës do të kenë lehtësi në marrjen e banesave me kredi me interes 0?/Replikë.al

Video