Plas sherri në Tale të Lezhës, kosovari përleshet me dy punëtorët e karburantit dhe përfundon në spital

5 August 2023, 20:47Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Plas sherri në Tale të Lezhës, kosovari përleshet me dy
Foto ilustruese


Një sherr i dhunshëm ka ndodhur disa çaste më parë mes një pushuesi nga Kosova dhe punëtorëve të një pike karburanti në Tale të Lezhës.

Sipas policisë, sherri ka nisur për motive banale mes 37-vjeçarit nga Kosova, i cili është përleshur me sende të forta me dy punëtorët e karburantit, shtetasit N.S dhe K.R, 61 dhe 52-vjeç nga Pllana e Lezhës.

Shtetasi kosovar ka përfunduar në spital ku po merr mjekimin e nevojshëm, ndërsa dy punonjësit e karburantit janë shoqëruar në polici.

Nga sherri është shkatërruar zyra e karburantit si dhe makina e 37-vjeçarit nga Kosova.

Informacion paraprak nga Policia:

Konfliktohen fizikisht dhe me mjete të forta te një karburant, duke i shkaktuar njëri-tjetrit dëmtime fizike si dhe duke dëmtuar edhe ambientin përreth, shoqërohen nga policia të dyja palët.

Në ambientet e një karburanti në afërsi të Kryqëzimit të Tales, në aksin rrugor Lezhë - Milot, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, janë përfshirë në konflikt fizik dhe me mjete të forta, shtetasi kosovar M. M. 37 vjeç me dy shtetas shqiptarë ( punonjës te karburanti) N. S. 61 vjeç banues në Lezhë dhe K. R. 52 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë.

Si pasojë e konfliktit ka mbetur i dëmtuar fizikisht shtetasi kosovar M. M. i cili është dërguar në spital për ndihmë mjekësore i shoqëruar nga patrulla e policisë, ndërsa shtetasit N. S. dhe K. R. janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë.

Gjithashtu, gjatë konfliktit, nga këta shtetas janë dëmtuar edhe ambientet e zyrës së qëndrimit të punonjësve të karburantit si dhe automjeti i shtetasit kosovar.

Grupi hetimor vazhdon veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Në përfundim të veprimeve dhe sqarimit të situatës, do të jepet një njoftim i dytë sqarues.


Video