
Orges Xhelili autori i plagosjes së kryebashkiakut të Divjakës dhe shoferit të tij disa ditë më parë ka dalë sot para gjykatës ku është njohur me masën e sigurisë arrest me burg. Xhelili është shoqëruar nga prindërit e tij të cilët janë përlotur teksa shohin djalin e tyre të prangosur në fugonin që mbërriti në Gjykatë.
I rrethuar nga forca të shumta policie, Xhelili u pa të mbante kokën ulur. Familjarët e tij ishin jashtë institucionit për të pritur vendimin. Babai Orges Xhelilit, Abas Xhelili tha se djali është provokuar nga persona që rrinë pas kryetarit. Midis tyre ka patur një debat më parë lidhur me largimin nga puna.
Kujtojmë se kryetari i Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi u plagos me thikë bashkë me shoferin e tij më 11 nëntor, pas një debati me një punonjësin e bashkisë Orges Xhelilin. Ai kishte dalë për inspektim në një nga banesat pranë bashkisë së Divjakës në momentin që është konfliktuar me Xhelilin. Xhelili iu afrua duke e fyer, ndërsa më pas debati mes tyre ka degraduar në përdorimin e thikës nga ana e autorit.