Një emigrant 17-vjeçar nga vendet e treta ka mbetur i plagosur me armë zjarri në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe.
Sipas informacioneve paraprake nga Policia, emigranti nga Afganistani ka qenë i shoqëruar me tre emigrantë të tjerë kur është konfliktuar me disa persona të paidentifikuar.
Këta të fundit dyshohet se kanë hapur zjarr duke lënë të plagosur njërin prej tyre.
Emigranti 17-vjeçar është dërguar në Spitalin e Shkodrës ku po merr mjekimin e duhur.
Sakaq, policia është duke punuar për identifikimin e personave të përfshirë në konflikt.
Njoftimi i Policisë:
Malësi e Madhe/Informacion paraprak
Në afërsi të stacionit hekurudhor, në fshatin Fermë, Malësi e Madhe, në rrethana ende të paqarta, 4 shtetas nga vendet e treta janë konfliktuar me disa shtetas ende të paidentifikuar dhe për pasojë ka mbetur i plagosur me armë zjarri, shtetasi afgan A. Z., 17 vjeç.
Shërbimet e Policisë ndodhen në vendin e ngjarjes, po këqyrin zonën dhe po marrin në pyetje 3 shtetasit që ishin me 17-vjeçarin, i cili është dërguar në spital, për mjekim.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në konflikt.