Arrestimi në Francë i shtetasit shqiptar Ermal Beqiri, pas fluturimit me një avion të vogël mbi centralin bërthamor të Penly, pritet të pasohet nga një procedurë gjyqësore që mund të çojë në ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Sipas raportimit të medias franceze La Journal du Dimanche, ndaj Beqirit ekziston një urdhër kërkimi i lëshuar nga autoritetet shqiptare.
Nëse ky informacion konfirmohet zyrtarisht dhe urdhri rezulton i vlefshëm, autoritetet franceze mund të shqyrtojnë kërkesën për dorëzimin e tij tek drejtësia shqiptare.
Burime juridike shpjegojnë për Vox News se procedura nuk është automatike.
Fillimisht, Franca përfundon verifikimet mbi veprat penale të kryera në territorin e saj.
Vetëm më pas gjykata kompetente shqyrton kërkesën e ekstradimit të paraqitur nga shteti kërkues.
Në rastin konkret, Ermal Beqiri, në cilësinë e pilotit është gjobitur për shkeljen e rregullave të fluturimit mbi një zonë të mbrojtur, ndërsa hetimet e autoriteteve franceze vijojnë për të verifikuar nëse ka elementë të tjerë penalë që lidhen me ngjarjen.
Sipas medias franceze, çështja është marrë në dorëzim nga Zyra Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO).
Nëse autoritetet franceze nuk do të ngrenë akuza të tjera që kërkojnë gjykimin e tij në Francë, atëherë procedura e ekstradimit mund të marrë përparësi.
Në rast se ekstradimi miratohet, Ermal Beqiri do t’u dorëzohet autoriteteve shqiptare, ku do të përballet me procedurat penale për dosjen "AKSHI" ku ai akuzohet për qindra milionë euro abuzime.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016