“Paratë në kasafortë nuk i ka marrë burri im”/ Zbardhet dëshmia e gruas së 30-vjeçarit që vrau babai për 7.5 mln lekë

4 Shtator 2024, 20:59Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Enver dhe Esmerald Balla

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë në Durrës, ku djali Esmerald Balla, 30 vjeç vrau babanë e tij, Enver Balla 62 vjeç.

Policia ka marrë në pyetje gruan e 30-vjeçarit.

Bashkëshortja e Esmerald Ballës ka thënë se paratë në kasafortë nuk i ka marrë burri i saj.

“Paratë në kasafortë nuk i ka marrë burri im”, ka thënë ajo.

Konflikti mes babait dhe djalit dyshohet se ka ardhur, për shkak të një shume parash prej 75 milionë lekë të vjetra.

Ndërsa, viktima jetonte me gruan e dytë dhe me Esmeraldin e familjen e tij. Enver Balla, me gruan e dytë kishte 18 muaj që jetonte.

NGJARJA

Djali Esmerald Balla 30 vjeç vrau të atin Enver Balla 62 vjeç dhe më pas trupin e hodhi në një pus larg banesës. Ngjarja u zbardh sot (4 shtator), ndërsa akti i rëndë ka ndodhur rreth 20 ditë më parë.

Për të fshehur krimin, djali vrasës në datën 13 gusht ka shkuar në polici dhe ka denoncuar se babai i tij është larguar nga banesa dhe kishte humbur kontaktet.

I riu kishte thënë në komisariat se babai i tij ishte larguar nga banesa, me një shtetase të panjohur për të, dhe pas këtij momenti, 30-vjeçari kishte shkëputur kontaktet me babanë dhe nuk kishte mundur të lidhej më me të.

Gjithashtu, Esmerald Balla ka deklaruar se dyshonte se kjo shtetase mund ta kishte vrarë babanë e tij dhe se 62-vjeçari nuk kishte arsye që të largohej nga banesa.

“Djali tjetër i Enver Ballës, shtetasi A. B., pasi është njoftuar se babai ishte larguar nga banesa, është kthyer nga Italia dhe ka kallëzuar në Polici, se në rrjetin social Instagram, i ka shkuar një mesazh, nga një shtetase e panjohur prej tij. Në mesazh thuhej që familjarët të mos e kërkonin 62-vjeçarin, pasi ai ishte larguar me pushime”, tha policia.

Pas këtyre fakteve policia thotë se i lindën dyshime se kishin të bënin me një krim brenda familjes. Konflikti mes djalit dhe babait kishte të bënte për një shume parash prej 7.5 milionë lekësh, kursime familjare.

“Si rezultat i veprimeve intensive u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, kapja dhe arrestimi i djalit të shtetasit E. B., konkretisht shtetasi E. B., 30 vjeç, i cili ka pranuar autorësinë e këtij krimi, pas një konflikti që kishte me babanë për një shumë lekësh (7 500 000 lekë të rinj, kursime të përbashkëta familjare) që dyshonte se ia kishte vjedhur 62-vjeçari”, thuhet në njoftimin e policisë.

Video