Pak para se të vritej nga fëmijët, Pëllumb Meta piu kafen e fundit në lokal: "Po iki të pushoj në shtëpi dhe do kthehem"

25 Shkurt 2024, 16:08Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Viktima Pëllumb Meta

Motivi i vërtetë i vrasjes së Pëllumb Metës në Shënavlash të Durrësit, nuk është zbardhur ende, ndërsa bashkëshortja e tij në hetim dhe 3 fëmijët e arrestuar, i qëndrojnë motivit të dhunës në familje dhe vendimit për të fejuar pa dëshirë vajzën 19-vjeçare.

Po vendimi për ta fejuar pa dëshirë është hedhur poshtë nga familja që kishte shfaqur interes për këtë krushqi. Madje dhe Blerina, nëna e vajzës, ashtu si babai i vrarë, kanë pasur të njëjtin qëndrim në lidhje me këtë mundësi fejese.

Ashtu si në dëshminë e dhënë në polici, edhe në një komunikim jashtë kamerave, për gazetaren e Top Channel, Vali Qyrfyçi, familja që kishte menduar për një lidhje krushqie me familjen e viktimës hedh poshtë pretendimin se Pëllumbi donte ta fejonte vajzën pa dëshirë.

Enxheni, e cila u bë shkas për të kërkuar dorën e Hygertës për vëllain e burrit të saj, tregon se babai i Hygertës ishte një njeri i dashur dhe se nuk donte ta fejonte vajzën e tij, për shkak se po donte të vazhdonte univeristetin.

Edhe bashkëshorti i saj hedh poshtë motivin e deklaruar nga vajza e familjes Meta dhe i përforcuar më tej nga deklarimet e nënës dhe vëllezërve të saj, se shkak ishte vendimi për ta fejuar pa dëshirë, dhuna e diktati i babait për të vendosur mbi fatet e fëmijëve të tij.

“U habita kur policia që erdhi për të marrë pamjet e kamerave të sigurisë, më pyeti nëse e kishim kërkuar vajzën për kunatin. I sqaruam dhe çdo gjë është e qartë. Nuk kemi ç’të themi më për këtë. Shohim punën, hesapin tonë dhe as vajzën nuk e njohim, ajo lëvizte me makinë gjithnjë”, tha bashkëshorti i saj.

Për herë të fundit ata e kanë parë të shtunën e 10 shkurtit, ditën e vrasjes.

“Ishte në lokal dhe u largua rreth orës 13:00 – 13.10. Tha se atë ditë nuk punohej, e donte pushim. Duhet ca pushim tha dhe iku në shtëpi”, tha Enxheni

Ashtu si në polici dhe në komunikim të drejtpërdrejtë me ta, motivi kryesor i dhënë si shkak për krimin rrëzohet.

Video