Analisti Andi Bushati e cilëson si një dështim operacionin e sotëm të SPAK-ut, ku u lëshuan 32 urdhër arreste, në Elbasan, Durrës e Tiranë për goditjen e grupeve kriminale.
Bushati u shpreh se dihej më parë se këto arrestime do të kryheshin ditën e sotme.
“Unë nuk e kam për zakon që të nxjerr biseda private, por unë dhe ti Baton po flisnim në televizione të ndryshme dhe të dy drejtuesit e emisioneve na kishin thënë që të enjten do kishte arrestime. Kur e dinim ne që të martën do kishte arrestime, ata që ia kanë mbathur kujton se nuk do e dinin? Prandaj kanë ikur, sepse ishte një sekret publik që do kishte arrestime. SPAK-u që ty të duket i zgjuar, mua vazhdon të më duket i fjetur”, tha Bushati në emisionin “Shock” në “Euronews Albania”, duke debatuar me Baton Haxhiun që e konsideroi si të suksesshëm operacionin e sotëm të SPAK-ut.
Bushati tha se asnjë nga krerët e grupeve kriminale nuk është arrestuar.
Sipas tij, prej 9 vitesh, që kur Partia Socialiste ka marrë drejtimin e vendit, kriminelët kanë shkuar në drejtim të paditur teksa shtoi se këto nuk mund të jenë të rastësishme.
“Sot kemi 9 vite në pushtet që kriminelët ikin non stop në drejtim të paditur. Nuk mund të flitet për drejtësi nëse një njeri që mund të akuzohet se ka porositur 30 vrasje, sot nuk është në qeli por mund të jetë në Dubai. Nuk ka njeri të besojë se këto ikje janë të rastësishme”, deklaroi Bushati.