Gjykata e Posaçme nisi sot seancën për të pandehurin Leonard Duka, i akuzuar si kreu i grupit të quajtur “Klani Duka” dhe akuzuar si organizatori i vrasjes së ish-policit Santiago Malko, në muajin gusht të vitit 2019.
Leonard Duka u paraqit për herë të parë në seancë që pas arrestimit dhe ekstradimit nga Belgjika, ku ishte arrestuar pasi ishte shpallur në kërkim.
Ai u ekstradua në 2 Gusht të këtij viti nga Belgjika në Shqipëri.
Anëtarët e tjerë të grupit janë gjykuar dhe hetuar në mungesë, teksa ai pritet të përballet me akuzat e ngritura nga SPAK, në këtë dosje.
Por seanca e sotme nuk kaloi pa incident, teksa ka qenë mamaja e të ndjerit Santiago Malko, e pranishme në sallën e gjyqit, që ka shpërthyer në ulërima dhe fyerje ndaj të pandehurit:
“O maskara, ma vrave djalin 25 vjeç, o qen! Si del ti aty...?!”, ishin akuzat e saj drejtuar Dukës.
Leonard Duka njihej dhe si një kundërshtar i betuar i Ervis Martinajt.
Ata kanë qenë ortakë dhe miq mjaft të mirë, që u kris kur në lojë u fut një shumë e majmë parash prej 800 mijë eurosh.
Ishte biznesi i lojërave të fatit ai që Duka e Martinajn themeluan bashkë, por shumë shpejt nisën përplasjet për këtë aktivitet, përplasje që përshkallëzuan dhe në eliminim të personave më të afërt të njëri-tjetrit.
Dukajt vranë Santiago Malkon, të besuarin e Martinajt, ngjarje për të cilën ndodhet pas hekurave Blendi Teta.
Ndërsa Ervis Martinaj, një nga bosët më të mëdhenj të lojërave të fatit në Shqipëri, rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të vitit 2022.