Qytetarët që kundërshtojnë projektin e ndërtimit në zonën e mbrojtur Zvërnecit dhe Koalicioni Pro Familjes që janë kundër terapisë hormonale tek fëmijët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim.
Nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pjesëmarrësit përcollën mesazhin “Nesër më shumë”, duke njoftuar tubimin e ri të martën në orën 18:00 para Kryeministrisë.
Organizatorët deklaruan se reagimi qytetar do të vijojë edhe në ditët e ardhshme, ndërsa u bënë thirrje qytetarëve t’u bashkohen protestave pro familjes, por edhe kundër ndërtimeve që, sipas tyre, rrezikojnë një nga zonat më të rëndësishme natyrore të vendit.
Gjatë protestës së sotme, qytetarët u mblodhën fillimisht para Ministrisë së Brendshme dhe më pas kanë marshuar drejt Kryeministrisë, duke mbajtur pankarta me mesazhe si “Shqipëria nuk është në shitje” dhe slogane të forta politike.