Ministrja Koçiu dhe Taulant Balla reagojnë për dhunën ndaj Policisë

10 Shkurt 2026, 20:23Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Ministria e Punëve të Brendshme Albana Koçiu në një reagim në rrjetet sociale për protestën e sotme para Kryeministrisë tha se janë sulmuar dhe lënduar punonjësit e Policisë së Shtetit. Koçiu thekson se asnjë agjendë nuk mund ta justifikojë përdorimin e dhunës. 

“E drejta për të protestuar, për të disatën herë, u dhunua nga një grup që zgjodhi forcën në vend të fjalës, duke sulmuar, dhunuar e lënduar punonjësit e Policisë së Shteti. Dhuna nuk mund të jetë kurrë një mjet dhe asnjë lloj agjende nuk e justifikon përdorimin e saj.

Mirënjohje për çdo punonjës policie që tregoi profesionalizëm dhe maturi përballë çdo provokimi.  Policia do të jetë gjithmonë në krye të detyrës për të garantuar të drejtën për të protestuar, si dhe të garantojë sigurinë e çdo qytetari dhe të pronës publike dhe të qytetarëve", shprehet ministrja. 

Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi për protestën e opozitës.

Në një reagim publik në rrjete sociale, Balla tha se po përdoret dhunë dhe flakë për të fshehur dështimin politik.

“Dy fjalë për fundin e protestave të bufit, ku sulmohen punonjësit e policisë dhe institucionet. Ndoshta për të fshehur me tym e flakë dështimin e tyre. Gjithmonë do të ekzistojë liria për të protestuar në Shqipërinë tonë. Por nuk duhet të ekzistojë liria për të goditur apo keqtrajtuar ata që kanë zgjedhur të shërbejnë në mbrojtje të sigurisë së qytetarëve,” u shpreh ai.

Balla theksoi se roli i Policisë së Shtetit është thelbësor për rendin dhe sigurinë, duke kërkuar reflektim nga shoqëria dhe reagim nga drejtësia.

“Duhet t’i mbrojmë ata që na mbrojnë dhe duhet të kujdesemi për ata që shërbejnë për sigurinë e qytetarëve. Kjo është ajo që bën një shtet i drejtë dhe normal,” deklaroi ai.

Sipas Ballës, uniforma e policisë mbart një përgjegjësi të madhe, ndërsa drejtësia duhet “t’i bëjë shembull” personat që sulmojnë efektivët.

“Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit,” theksoi Balla.


Video