Të paktën 200 familje në Theth janë pajisur tashmë me certifikatat e tyre të pronësisë.
“Na ktheve në identitet, këto 30 vite të fundit na humbi identiteti. Kur i humb identiteti një fshati thuhet se janë të fikur. Ne u fikëm dhe u koritëm, sepse ne nuk dinim se nga vinim”, tha teksa merrte në dorë titullin e pronësisë Zef Bari, një prej banorëve të fshatit Theth.
Vetëm një muaj më parë Kryeministri Rama bëri premtimin për pajisjen e certifikatave të pronësisë, premtim që pakkush mendonte se do të përmbushej në kaq pak kohë.
Por, falë punës pa orar të hipotekës dhe Drejtorit të Zonave të Stimuluara Andi Muhametaj u bë në kohë rekord nxjerrja e 200 certifikatave.
Kjo merr akoma më shumë vlerë, kur institucioni gjendej përballë një sfide mbi 30 vjeçare, pasi zonat malore të veriut dallohen për një problematikë të veçantë.
Pjesa më e madhe e banorëve kanë qenë pa certifikate pronësisë për banesat dhe tokat e tyre, sepse në vitin 1992, ata refuzuan ligjin 7501 për ndarjen e tokës duke ruajtur kufijtë e vjetër të pronave.
Por me zhvillimin e turizmit dhe rritjen e numrit të turistëve në këto zona, në mungesë të certifikatës ata nuk kishin mundësi të zhvillonin pronën e tyre.
Për fat të mirë kjo problematikë mori fund dhe përveç marrjes së certifikatave të pronësisë, banorëve do t’u fshihen të gjitha gjobat për ndërtimet e paligjshme të bërë ndër vite./VoxNews