Babai i Sabah Nuzit, ka mohuar përfshirjen e djalit të tij në vrasjen dhe zhdukjen e Klevis Lleshit.
Në një intervistë për News 24, Mustafa Nuzi pohon se djali i tij e kanë përfshirë qëllimisht në këtë ngjarje, ndërsa zotohet sipas kanunit.
Ai tha se asgjë nga çfarë pretendon policia dhe prokuroria nuk është e vërtetë.
Babai i Sabah Nuzit: Jam Mustafa Nuzi. Kam një problem me shumë rëndësi. Jam i dënuar dhe akuzuar nga policia dhe prokuroria për një akuzë të pavërtetë. Më shë akuzuar djali, Sabah Nuzi, për vrasjen dhe zhdukjen e Klevis Lleshit. Nuk është e vërtetë. Herën e parë jam thirrur nga prokurori i rrethit para 5-6 vitesh, se mbaj mend si datë. Në prezencë të 8 vetave në prokurorinë e Burrelit. Më është thënë; kemi dyshime se djali yt ka pjesë, dijeni në zhdukjen e Klevis Lleshit, ndërsa tha se nuk kemi fakte. Unë i thash nëse ke, jam gati që t’i vënë hekurat. Nuk është e vërtetë. Kam garantuar sipas kanunit se djali nuk ka dorë. Siç e përmban kanuni, që të jesh i qetë. Kam qejf të bashkëpunojmë se kush e vrau nipin e Qamil Lleshit. Më pas dola dhe ngaqë kishte një farë dyshimi për djalin tim, unë në rrugë private nisa një hetim. Unë kam konstatuar që Klevis Lleshi nuk është vrarë nga djali im.
Video e marrë nga News 24:
Jam munduar që të bashkëpunoj me policinë, me shefin e komisariatit për të zbardhur të vërtetën. Shefi i policisë në atë kohë, më la për të dyshuar se çfarë thash unë nuk u verifikuan kurrë. Dua të pyes se kush ka qenë ai person te shtëpia e Klevis Lleshit?! Kush ka shkuar me të në makinë te xhaxhai i tij?! Ku është makina e zezë që ka pasur Klevisi, që u zhduk prej Burreli?! Ku e ka çuar personi që ka çuar nënën në polici, që denoncoi zhdukjen e djalit. Ai shoqëruesi kush është? Çfarë lidhje ka me hasmin? Ajo është familja e hasmit. Si ka mundësi që të më akuzojnë mua me gjyq kapital, që nuk mund të dal jashtë dhe ma kanë akuzuar mua. Unë nuk kam lidhje me këtë punë. Si ka mundësi?! Djali im nuk e pranon. Ai bën thirrje që të hetohet e vërteta, të kenë durim. Çunin ma mbajnë, ma dënojnë për kot, me akuza të pavërteta. Arsyeja; konflikti që unë kam me prokurorin e rrethit dhe ish-shefin e policisë.
Kujtojmë se SPAK zbuloi vrasjen e Klevis Lleshit, ekzekutori i vrasjes, Sabah Nuzi, e kreu krimin kundrejt shumës prej 50 mijë eurosh, për llogari të Aurel Hoxhës, i cili dyshohet se ka kryer një akt hakmarrjeje, pasi vëllai i tij, Agim Hoxha, u ekzekutua dhe më pas u dogj në Britaninë e Madhe nga Arben Lleshi, kushëriri i Klevis Lleshit.
Në bisedat e zhvilluara në Sky ECC, Aurel Hoxha shprehet në një moment: “E rregullova të katërtin”, që sipas hetuesve i referohet viktimës së katërt nga familja Lleshi, pasi më herët ishin vrarë Xhavit dhe Hajredin Lleshi, ndërsa Artan Lleshi rezulton i zhdukur.
Sabah Nuzi ndodhet aktualisht nën masën e sigurisë “arrest me burg”, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme. Në seancën gjyqësore me dyer të mbyllura, ai ka mohuar përfshirjen në krim, duke kërkuar pavlefshmërinë e komunikimeve të siguruara nga Sky ECC.
SPAK vijon hetimet për vrasjen e katër anëtarëve të familjes Lleshi, ndërkohë që Samet Loka, pjesëtar i grupit kriminal të drejtuar nga Aurel Hoxha, është lënë në arrest shtëpie.
Ndaj tij rëndojnë dyshimet për pastrim parash dhe përfshirje në grup kriminal. Kreu i grupit, Aurel Hoxha, është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi dyshohet për trafik kokaine dhe pastrim parash përmes lokalit “Monopol” në Tiranë, i cili u sekuestrua nga SPAK pak ditë më parë.