EMRI/ Makina përplas policin brenda tunelit panoramik në aksin Elbasan-Tiranë, dërgohet tek Trauma

27 Shtator 2022, 20:14Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
 
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Elbasan-Tiranë tek tuneli panoramik.

Burime bëjnë me dije se Policia Rrugore ishte lajmëruar për një aksident të ndodhur po në këtë aks dhe shkoi në vendngjarje. Por, sapo dy efektivë zbresin nga mjeti i tyre, një tjetër makinë që po kalonte në autostradë merr përpara makinën ku ndodheshin dy policët, duke lënë të plagosur rëndë njërin prej tyre.

Burime bëjnë me dije se i plagosur ka mbetur efektivi Ferdinand Bahja, 53 vjeç. Moti i keq dhe stuhia mendohet se kanë qenë arsyet e përplasjes.

Policia ka arrestuar drejtuesen e mjetit që shkaktoi aksidentin, shtetasen S. V., 51 vjeçe, teksa efektivi është dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës në Tiranë në gjendje të rëndë.

Njoftimi i Policisë

Aksidentoi me pasoja të rënda për jetën punonjësin e Policisë Rrugore, i cili ishte në krye të detyrës, arrestohet në flagrancë drejtuesja e automjetit.

Më datë 27.09.2022, rreth orës 19:15, në aksin rrugor Elbasan-Tiranë, në fshatin Gracen, automjeti tip “Lancia”, me drejtuese shtetasen S. V., 51 vjeçe, banuese në Tiranë, ka përplasur punonjësin e Policisë të qarkullimit rrugor të DVP Elbasan, shtetasin F. B., 53 vjeç, i cili është transportuar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

Punonjësi i Policisë ishte në krye të detyrës, pasi kishte shkuar për të trajtuar një aksident të ndodhur më parë, daljen e një automjeti nga rruga, në këtë aks.

Drejtuesja e automjetit, shtetasja S. V., është arrestuar në flagrancë.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Video