Aksidenti fatal i mëngjesit të 23 shtatorit në vendin e quajtur “Mbikalimi i Patokut” ku Lule Deda humbi jetën, vijon të mbetet pa autor.
Drejtuesi i mjetit ende nuk është identifikuar. Ai u largua nga vendngjarja pasi përplasi 54-vjeçaren duke e lënë trupin e saj mes trafikndarëseve. Mes dhimbjes së madhe që kjo ngjarje ka shkaktuar, familjarët e 54-vjeçares apelojnë policinë që të identifikojë shkaktarin e aksidentit.
Motra e 54-vjeçares, Leonora Dedaj i bën thirrje autorit të aksidentit që të vetëdorëzohet pasi ka marre jetën e një njeriu dhe e ka lënë në rrugë.
"Kërkoj vetëm drejtësinë e saj, ai nuk është ndaluar. Ai e ka lënë në mes të rrugës të shtypur. Të paktën të ndalonte se njeriu edhe një qen kur shtyp, ndalon. Aksidentet ndodhin, por të paktën të interesohej, kë ka vrarë, a ka vdekur apo s'ka vdekur. Nuk është bërë gjallë kërkush. I kërkoj shteti vetëm drejtësi, zbardhjen e kësaj ngjarje. Në qoftë se ka zemër, shpirt njeriu, të paktën, a bën me kërku falje. Ke vrarë një njeri." tha motra e Lule Dedas për News 24.
54-vjeçarja Lule Deda u gjet e pajetë në hapësirën ndërmjet trafikndarëseve në aksin rrugor Tiranë-Lezhë. Ajo ishte përplasur nga mjetet që kalojnë në këtë aks drejtuesi i së cilës nuk ndaloi pas ngjarjes. Policia ka sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë në këtë rrugë me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit.