Lojëra fati, armë dhe nxjerrje sekreti shtetëror/ Ish-kreu i SHISH-it në Berat dhe djali i tij shpallen fajtorë

15 Dhjetor 2025, 17:20Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Gjykata e Beratit ka shpallur fajtorë këtë të hënë ish-kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror në Berat, Aleksandër Shulla dhe djalin e tij Pandeli Shulla, të akuzuar për disa vepra penale të rënda, përfshirë organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit, mbajtjen pa leje të armëve dhe nxjerrjen e sekretit shtetëror.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Beratit, "procedimi penal ndaj babë e bir nisi në vitin 2023, pas informacioneve të siguruara nga organet e hetimit se në një lokal në lagjen “30 Vjetori” të qytetit të Beratit, i administruar nga P.Sh., zhvilloheshin aktivitete të paligjshme të lojërave të fatit. Gjatë kontrolleve, u konstatuan disa kompjuterë në funksion, në ekranet e të cilëve shfaqeshin lojëra online të ngjashme me ato të kazinove virtuale, të aksesueshme përmes aplikacioneve apo programeve të instaluara dhe të lidhura në internet.

Hetimet u zgjeruan edhe në banesën e A.Sh., ku gjatë kontrollit policor u gjetën municione të kalibrit 7.62 mm, disa krehëra të mbushur me fishekë, si dhe dy pajisje USB me mbishkrimet “Turbox” dhe “Kingston”. A.Sh., i cili kishte ushtruar më herët detyrën e punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit, deklaroi se kishte dorëzuar armatimin pas largimit nga detyra në nëntor 2023, por kishte harruar të dorëzonte municionin, të cilin e kishte mbajtur si suvenir.

Megjithatë, nga verifikimet e kryera nga Prokuroria rezultoi se armatimet ishin kthyer sipas procedurave ligjore, fakt i provuar edhe nga dokumentacioni përkatës i dorëzimit. Po ashtu, u konstatua se dy materiale të gjetura në njërën prej USB-ve ishin të klasifikuara në nivelin “sekret” dhe administroheshin nga SHISH në kopje të vetme. Kopjimi dhe mbajtja e tyre jashtë strukturave zyrtare përbënte shkelje të rregullave të sigurisë së informacionit të klasifikuar.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria vlerësoi se ekzistonin prova të mjaftueshme për fajësinë e të pandehurve. Gjykata e Beratit pranoi kërkesat e organit të akuzës dhe deklaroi fajtor P.Sh. për veprën penale të “Organizimit ose ushtrimit të veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, duke e dënuar me 2 vite burgim, dënim i cili u ul me një të tretën dhe u pezullua, duke e vendosur në provë për 2 vite e 8 muaj.

Ndërkohë, A.Sh. u shpall fajtor për “Mbajtjen pa leje të armëve dhe municionit” si dhe për “Tregimin e sekretit shtetëror nga personi që i është besuar”, duke u dënuar fillimisht me 6 muaj dhe 2 vite burgim. Pas uljes së dënimit me një të tretën, ai u dënua përfundimisht me 1 vit e 4 muaj burgim, dënim i cili u pezullua dhe u shoqërua me një periudhë prove prej 2 vite e 8 muajsh. Gjithashtu, A.Sh. u privua nga e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh".


Video