Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër ka vendosur lirimin me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për dy të rinjtë Klevin Thepi, 24-vjeç, dhe Doronesto Kulla, 19-vjeç, të dyshuar si organizatorët e rrahjes masive mes adoleshentësh.
Një ngjarje e ndodhur disa ditë më parë në qytetin e Shkodrës, pranë shkollës “Shejnaze Juka”.
Ngjarja përfshiu rreth 15 të rinj, të cilët u konfliktuan fillimisht me grushte dhe më pas me sende të forta, ndërsa gjatë përleshjes është përdorur edhe armë e ftohtë (thikë).
Si pasojë e këtij konflikti, tre adoleshentë mbetën të dëmtuar lehtë dhe u transportuan në spitalin rajonal të Shkodrës, ku morën ndihmën mjekësore dhe tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas hetimeve, konflikti dyshohet se ka pasur zanafillë një përplasje të mëparshme mes nxënësve për motive të dobëta.
Pas ngjarjes, forcat e Policisë së Shkodrës dhe efektivët e njësisë “Shqiponja” ndërhynë në vendngjarje, duke sekuestruar kamerat e sigurisë dhe duke nisur hetimet.