
Enkeleid Alibeaj, akuzoi sot kryetaren e Parlamentit, Lindita Nikolla, se me anulimin e Këshillit të Mandateve kishte cënuar hetimin për ish-deputetin Alqi Bllako.
Sipas Alibeajt, deputetët dhe publiku duhej të shihte sot Bllakon dhe prokurorët në ballafaqim, njësoj si disa vite më parë, Saimir Tahirin.
Por Lindita Nikolla thotë se mandati i Alqi Bllakos quhet i përfunduar për shkak të heqjes dorë nga ana e këtij të fundit.
Ajo thekson se në këto kushte, sipas rregullores së Kuvendit, kërkesa e SPAK nuk është më objekt i shqyrtimit nga Kuvendi.
“Z. Alqi Bllako për të cilin është kërkuar dhënia e autorizimit për arrestim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur në Kuvend deklaratën se me dijeni dhe vullnet të plotë dorëzon mandatin e deputetit nëpërmjet heqjes dorës nga ky mandat. Referuar nenit 71, pika 2, shkronja “b” të Kushtetutës, mandati i deputetit z.Alqi Bllako, mbaron për arsye të heqjes dorë nga mandati.
Në këto kushte, sipas rregullores së Kuvendit, kërkesa e Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk është më objekt i shqyrtimit nga Kuvendi.
Sa më sipër, është anuluar mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, njoftuar për datën 30.03.2022, ora 18:00.
Çështja për të cilën ju kërkoni mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nuk ekziston më. Për rrjedhojë Kuvendi nuk mund të vazhdojë procedurat për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.