Prokuroria e Vlorës ka hedhur poshtë akuzën e ngritur nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore ndaj ish-efektivit Arian Tase. Hetuesit nuk kanë pranuar akuzën e vrasjes nga pakujdesia, por kanë kërkuar vrasje me dashje indirekte.
Kjo me argumentimin se pavarësisht faktit, që ish-punonjësi i policisë Tase nuk ka dëshiruar ardhjen e pasojës fatale ndaj 7-vjeçares, provat flasin se ai është futur me vetëdije të plotë në një zonë ku nuk duhej të qarkullonin mjete detare me motorë.
I akuzuar për vrasje nga pakujdesia Tase rrezikonte nga gjobë deri në 5 vite burg, ndërsa me akuzën e re ai rrezikon 10 deri në 20 vjet.
Megjithatë kjo mbetet për t'u parë nëse organet e hetimit do të mbledhin provat për ta cilësuar si vrasje me dashje, ndërkohë që vepra penale do klasifikohet si indirekte, ndërsa i mbetet gjykatës që të vendosë për fatin e ish-efektivit që me skafin e tij vrau 7-vjeçaren Jonada Avdian në plazhin e Potamit në Himarë.
Ndërkohë, mësohet se hetuesit kanë dyshime të forta se ish-kolegu i tyre është i përfshirë në organizata kriminale që merren me lëndët narkotike. Madje dyshohet se skafi me të cilin Tase goditi 7-vjeçaren, përdorej për transportin e drogës.
Mjeti lundrues është zyrtarisht në pronësi të kushëririt të Arjan Tases, pjesë e një biznesi që merrej me dhënien me qira të mjeteve lundruese. Por Prokuroria dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po verifikojnë lidhjet e tyre pasi besohet se ish-oficeri i policisë qëndron pas këtij aktiviteti.
Nuk është hera e parë që Arjan Tase dyshohet si i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Dy vjet me pare në kohën kur ishte shef i komisariatit të Himarës, ai u arrestua nga policia e Vlorës për lejimin e kultivimit të parcelave me kanabis.
Tase u akuzua për shpërdorim detyre dhe u la në arrest shtëpie. Njëkohësisht, oficeri u pezullua nga detyra derisa të shprehej gjykata.
Pak kohë më vonë, prokuroria e pushoi çështjen e nga ana tjetër Apeli i Vlorës e hodhi poshtë pezullimin nga detyra. I liruar nga çdo akuzë dhe i mbrojtur me vendim gjykate, Tase u rikthye në radhët e policisë.