
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier – Berat) ka zbatuar sot urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e masave të sigurisë ndaj 3 punonjësve të policisë dhe 3 zyrtarëve të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) të Bashkisë Mallakastër.
Vendimi është marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Të gjashtë zyrtarët janë nën hetim për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ndërtimit të paligjshëm”. Gjykata ka vendosur për ta masat e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier - Berat) ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Detyrim për tu paraqitur në policinë Gjyqësore” ndaj 3 punonjësve të policisë dhe 3 punonjësve te IKMT, të dyshuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërtim i paligjshëm”.
Inspektor Y. K., me detyrë Ndihmës Specialist / SPZ pranë Komisariatit të Policisë Fier
Inspektor I. B., me detyrë Ndihmës Specialist/SPZ pranë Komisariatit të Policisë Fier
Inspektor D. K., me detyrë Ndihmës Specialist / SPZ pranë Komisariatit të Policisë Fier
Kryeinspektor A. X., me detyrë pranë Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Terriorit, Bashkia Mallakastër
Inspektor SH. XH., me detyrë pranë Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Terriorit, Bashkia Mallakastër
Inspektor K. Y., me detyrë pranë Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Terriorit, Bashkia Mallakastër
Nga hetimet e thelluara të zhvilluara nga AMP me metoda speciale, rezultojnë dyshime të arsyeshme së këta punonjës policie në bashkëpunim me punonjësit e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, kanë lejuar ndërtime të paligjshme në territorin e Bashkisë Mallakastër.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].
Për ankesa me Whatsapp 0694151511